Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, ka ftuar Gjykatën e lartë administrative të vendos për procedurën e dhënies me koncesion të deponisë Drislla. Gjykata themelore administrative paraprakisht ka konstatuar shkelje ligjore në procedurën e dhënies me koncesion të deponisë kompanisë italiane “Ambiente” dhe ia ka kaluar kompanisë gjermane “Sholls”.
Shilegov thotë se zhagitja e këtij vendimi ndikon negativisht në zhvillimin e deponisë dhe pamundëson qytetin të zhvillojë politika adekuate për mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve, jo vetëm në qytetin e Shkupit, por edhe në komunat fqinje me kryeqytetin.
Ai sqaron se kompania italiane “Ambiente”, koncesioner i cili në tetë vitet e kaluara ka menaxhuar deponinë nuk i ka përmbushur detyrimet e dala nga marrëveshja për koncesion sepse arsyetohet se marrëveshja është kontestuar në gjykatë.
“Unë e shfrytëzoj këtë mundësi, nuk dua që në asnjë mënyrë të kuptohet se ne kemi ndikim në gjyqësi, mua nuk më intereson se çfarë vendimi do të sjell gjyqi. Mund edhe mos ta pranoj ankesën e dorëzuar nga qyteti i Shkupit, nuk më intereson ajo, gjëja që më intereson më së shumti është që të sillet një vendim sa më i shpejtë që të mund të kuptojmë sa më shpejtë që është e mundur se kush është partneri jonë në këtë drejtim”, deklaroi Shilegov.
Sipas tij, vendimi i gjykatës do të sqarojë të gjitha paqartësitë dhe qytetit do t’i ofrojë një partner me të cilin do të merren vesh për zbatimin e marrëveshjes për koncesion të deponisë.
“Këtë e them sepse në gjendjen në të cilën është qyteti, ju nuk mund të krijoni politikë komunale sepse kapaciteti në të cilin duhet të përfundojnë mbetjet e keni me partner ndihmës. Për atë edhe dua që sa më shpejtë të ketë vendim se kush do të jetë partner”, thotë Shilegov.
Ai thotë se prolongimi i vendimit nga Gjykata e lartë administrative nëse koncesioni për deponinë do t’i mbetet kompanisë italiane apo do t’i kalojë kompanisë gjermane, ia ka lidhur duart administratës së qytetit dhe Ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale”, për të planifikuar punën për mbajtjen e higjienës në kryeqytet.
Almakos.com