Vërejte të shumta për projektin “Qytet i Sigurt”, ka shpalosur sot Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Ai madje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit, duke ngritur dilema për procedurën e miratimit, zbatimin territorial dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Sela tha se procedura e miratimit të ligjit ka qenë e papranueshme, pasi është zhvilluar me procedurë të shpejtë dhe pa debat publik, pa u dëgjuar zëri i ekspertëve dhe qytetarëve për pasojat që mund të sjellë ky projekt.
ZIADIN SELA, KRYETAR I ASH-SË
“Përpara kushtetutës, të gjithë qyetetarët duhet të jenë të barabartë dhe si e tillë, të gjithë qyetetarët pa mar parasysh, a jetojnë në Kumanovë, Shkup ose Tetovë, do të duhet të jenë të barabartë edhe në drejtim të përfshirjes në këto lloj projekte d.m.th edhe në Strumicë edhe në Strugë edhe në Ohër edhe në Kërçovë edhe në Kavadar edhe në Shtip dhe gjithë andej. Nuk mund të ndahet implementimi i këtij projekti në zona të caktuara, për shkak se kjo lloj ndarje të jep të kuptosh dhe të besosh dhe të dyshojsh që ka për qëllim zhvatjen e një kategorie të qytetarëve”.
Sela shpalosi edhe një vëretje në këtë ligj, i cili ai tha se lidhet me detyrimin e qytetarëve për të pasur numra telefoni dhe adresa elektronike për komunikim me institucionet, gjë që sipas tij, nuk parashihet me ligj.
ZIADIN SELA, KRYETAR I ASH-SË
“Ne me ligj jemi të obliguar, jo vetëm ne, por e gjithë bota e civilizuar jemi të obliguara që të kemi një adres, në të cilën do të na dërgohen edhe paditë për kundërvatje, dënimet etj etj, por sjemi të obliguar të mbajmë numra telefoni, nuk jemi të obliguar të mbajmë adresa emaili, në qofse jemi të obliguar për këtë gjë, atëher duhet që saher t’i ndërrojmë numrat e telefonit të shkojmë të paraqitemi në polici”.
Përveç se kritikoi mosrespektimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e Gjuhëve në këtë ligj, Sela tha se kamerat e “Safe City” në Shkup janë të përqendruara kryesisht në Çair, në zona ku mungon infrastruktura adekuate rrugore. Sipas tij, kjo krijon kushte që qytetarët të ndëshkohen me gjoba të larta, në një shoqëri me standard të ulët jetese.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të veprojë me urgjencë, duke pasur parasysh se ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Samir Mustafa /SHENJA/


