Në paraqitjen e tij të parë para medieve pas dhunës së ushtruar në Kuvend, kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, ka falënderuar të gjithë ata që janë solidarizuar për ndodhitë, ndërsa u ka kërkuar ndjesë të gjithë atyre që kanë pasur dëshirë që ta takojnë, por që e kanë pasur të pamundur. Duke folur për zhvillimet politike, Sela ka thënë se ai dhe partia e tij ka tentuar që të artikulojë politikisht nevojat e shqiptarëve.
“Prandaj, ndodhia që ndodhi më 27 prill, ishte atentat ndaj nevojave të cilat shqiptarët i kanë këtu në Maqedoni. Ishte atentat ndaj artikulimit politik të këtyre nevojave që ne si Lëvizje për Reforma i kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne na vranë më 27 prill, dhe ne u ringjallëm përsëri më 7 prill dhe ne do të vazhdojmë që nevojat e shqiptarëve këtu në Maqedoni t’i artikulojmë politikisht akoma më fuqishëm”, tha kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.
Ziadin Sela u pyet edhe për pjesëmarrjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar, ku tha se kjo aleancë gjithnjë ka qenë për një qeverisje të reformuar e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Dhe jorastësisht thashë për qeverisje dhe jo për Qeverinë e re. Jemi për qeverisje të re dhe qeverisja e re do ta ketë përkrahjen tonë. Pak rëndësi ka a do të jemi ne fizikisht pjesë e Qeverisë ose jo, sepse për këtë do të duhet të marrin vendim organet e partisë. Por, ne Qeverinë e reformave do ta përkrahim, ashtu siç do t’i përkrahim dhe do të jemi katalizatori kryesor i realizimit të interesave të shqiptarëve të Qeverisë së re”, theksoi Sela.
I pyetur nëse do të kërkojë përgjegjësi politike për dhunën në Kuvend më 27 prill, Sela tha se para kësaj, ai do të kërkojë përgjegjësi politike për rastin “Sopot”, rastin “Monstra”, vrasjen e Harun Aliut dhe shumë proceseve të montuara politike, duke shtuar se edhe sulmin ndaj tij, ai e sheh si një proces të montuar. /SHENJA/
Sela: Do përkrahim qeverisjen e re, për… by tvshenjaofficial

