Pas dy ditësh aksion intensiv në rajonin e Strumicës, nga një kompani që ka leje për kultivimin e marijuanës janë sekuestruar rreth 20 tonë marijuanë. Lokacioni përbën degën e dytë kyçe në hetimin që po e zhvillojnë MPB dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Detaje për aksionin në Strumicë ende nuk bëhen publike, dhe nuk ka informacione zyrtare për veprime penale të kryera ose për personat e dyshuar
Të enjten në mbrëmje në aksionin e policisë në Shkup dhe Strumicë u sekuestruan rreth 27 tonë kanabis nga kompania Alfa Farm. Ndonëse droga dyshohet se ishte kultivuar për qëllime mjekësore, mënyra e magazinimit dhe ruajtjes së saj tregon se ajo ishte destinuar për trafikim dhe shitje në tregun e zi.
Deputeti I VMRO-së, Brane Petrushevski tha se më shumë se 2/3 e 27 tonëve drogë të sekuestruar janë të një firme të kuadrit të LSDM-së, bashkëpunëtor i Zoran Zaevit.
BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-SË
“Firma ‘CBD Medplant’, në pronësi formale të Hristijan Kotev, por në pronësi reale të babait të tij, Toni Kotev i njohur si Mërçev, ish-kryetar i degës së LSDM-së në Novo Selo dhe i afërt në biznes me Vicе Zaevin dhe Gidan Kolevin, në periudhën nga 30.06.2025 deri në 11.2025 ka dërguar 19 tonë marijuanë në fabrikën e Shkupit sipas dokumentacionit. Përveç kësaj, këtë mëngjes nga firma e Strumicës janë nxjerrë 21 tonë drogë”.
Ai shpjegoi se bëhet fjalë për një firmë që ka marrë leje nga qeveria e Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes për kultivimin e marijuanës për qëllime mjekësore në vitin 2020. Ai kërkoi nga Prokuroria Publike të hetojë rastin dhe pyeti publikisht pse Zaev ka kontaktuar personalisht me Doganën dhe është interesuar për këtë çështje. “Karteli i drogës në Strumicë ka vepruar si në kohën e Pablo Eskobarit në Kolumbi”, tha Petrushevski, duke shtuar se e vërteta po del në dritë!. /SHENJA/


