Drejtoria e Doganave përmes Departamentit të Kontrollit dhe Hetimeve ka parandaluar një rrjet të organizuar në të cilin importues, shpeditorë dhe vozitës të punësuar në kompani transporti dhe doganierë në mënyrë të organizuar kanë kryer krime me automjete të përdorura. Automjetet ilegalisht janë futur në qarkullim dhe kanë përfunduar në tregjet e makinave pa paguar detyrime importi. Drejtori i drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski njoftoi se janë sekuestruar 35 vetura me vlerë të përgjithshme prej 20 milionë denarëve, ndërsa nga shmangia e pagesës së detyrimeve për import është shkaktuar dëm i drejtpërdrejtë në Buxhetin e Shtetit në vlerë prej 9 milionë denarëve. Ai potencoi se ka dyshime se taksat e shmangura dhe dëmi i shkaktuar në Buxhetin e Shtetit është shumë më i madh, pasi ka shumë gjasa që këto akte të kenë ndodhur disa herë në vitet e kaluara.
BOBAN NIKOLLOVSKI, DREJTOR I DREJTORISË SË DOGANAVE
“Deri më tani, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë ngritur kallëzime penale kundër 24 personave, 19 fizikë dhe pesë persona juridikë, për veprat penale të kryera: mashtrim doganor, fshehje e mallit, falsifikim dhe keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar. Me përfundimin e plotë të veprimeve para hetimore do të vijojnë kallëzimet penale për persona të tjerë”.
Ai sqaroi se për doganjerët që kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, janë duke u zhvilluar procedura disiplinore.
Nikollovski thjeksoi se autorët e krimeve, pjesëmarrës në një skemë të mirëorganizuar dhe të përpunuar, kanë prodhuar dokumente shoqëruese të falsifikuara, të nevojshme për përfundimin e procedurës doganore dhe kanë kryer në mënyrë fiktive tranzitin pa kryer procedurën doganore. Kështu, pa paguar doganën dhe detyrimet e tjera të importit, automjetet janë lëshuar në qarkullim të lire.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/