Garanca më e mirë për procesin eurointegrues është përmbushja e kritereve, e ka bërë të qartë edhe një herë eurokomesarja Marta Kos. Duke folur para gazetarëve për kërkesën e palës maqedonase që Brukseli të japë garanca që nuk do të përballet me kushte të tjera nga ana e Bullgarisë në rrugën drejt BE-së, eurokomesarja tha se synimi i Komision it Evropian është që të hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut sa më shpejtë të jetë e mundur. Ajo në konferencën e mbajtur në kuadër të samitit BE – Ballkani Perëndimor tha se, ky takim që u mbajt në Shkup po dëshmon se është një imperativ për të çuar përpara Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj, veçanërisht tani që disa vende të tjera po përparojnë shumë mirë drejt finalizimit të negociatave.
Marta Kos, eurokomesare për zgjerim
“Ne të gjithë e njohim se kjo nuk është një rrugë e lehtë, por tani është e hapur dritaraja për zgjerim dhe ne të gjithë duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të gjithë duhet të kontribuojnë, jo vetëm dy shtetet por edhe Bashkimi Evropian për të dalë te një rrugë që do të mundësoj që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat sa më shpejtë të jetë e mundur”.
E pyetur të komentojë amendamentet e eurodeputetëve bullgarë, ku kërkohet vendosja e termit gjuhë dhe komb modern maqedonas, ajo tha se, anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe kulturën e Maqedonisë
Marta Kos, eurokomesare për zgjerim
“Identiteti nuk mund të jetë kurrë subjekt i vendimmarrjes politike, por është diçka që e mbajmë në shpirtin dhe zemrën tonë. Identiteti, siç tha ajo, është mënyra se si ndihemi, si e ndiejmë atdheun tonë dhe si kujdesemi për traditën tonë. Për shembull, manastiret në Maqedoninë e Veriut, simiti, pasuli në tavë, punxhuri, ose specat e mbushur, si i mirëmbajmë kostumet tradicionale, çfarë lloj marrëdhëniesh ndërtojmë me më të moshuarit në në vend, çfarë lloj qëndrimi kemi ndaj ruajtjes së gjuhës sonë. Askush nuk mund t’ua heqë këtë juve maqedonasve”.
Ndërkaq, Mickoski tha se Maqedonia e Veriut ecën në rrugën evropiane me zemër dhe me mendje të hapur, duke i pranuar vlerat evropiane, por se ata i kundërshtojnë shantazhet të cilat, tha ai, nuk janë pjesë e atyre vlerave. Ai tha se nuk pranojmë imponime nën maskën e procesit evropian, ndërkaq shtoi se identiti maqedonas nuk është vetëm kuzhina maqedonase.
Hristijan Mickoski, Kryeminsitër i RMV-së
“Duhet ta pranojë se, për më shumë se tre dekada, ne humbëm një pjesë të madhe të identitetit tonë duke ndryshuar flamurin, emrin, duke ndryshuar kushtetutën disa herë dhe në kushte kur nuk ka garanca se, ky do të jetë lëshimi i fundit për çështjen e identitetit unë do të isha shumë më i kujdesshëm, pasi udhëhiqem nga maksima – “mos i dëgjo çfarë flasin, shikoji çfarë bëjnë”. Ndërsa atë çfarë kanë bërë dhe ende e bëjnë një pjesë e eurodeputetëve të fqinjit tonë lindorë, nuk ka asnjë lidhje me vlerat evropiane. Për mua, identiteti im nuk është vetëm kuzhina e shkëlqyer maqedonase, por është edhe Goce Dellçevi, Shapkarevi, vëllezërit Milladinov, kryengritja e Ilindenit, Dame Gruevi, Jane Sandanski “.
Duke folur për agjendën e reformave në vend, ajo tha se, reformat nuk janë dekoratë por nevojë dhe ne nuk do të presim që dikush t’i shtyjë përpara, por do të ecin vetë me plan konkret dhe me vizion të qartë.
Teuta Buçi /SHENJA/