
Për muaj të tërë një nga rrugët më të frekuentuara në qytetin e Tetovës është shndërruar në një ferr për automjetet dhe kalimtarët e rastit. Rruga në të afërsi të së cilës ndodhet një shkollë fillore, shkolla e muzikës, objekti i Gjimnazit dhe që lidh qytetin me dhjetëra mijëra banorë të Komunës së Tearcës, është e mbushur me gropa dhe është në gjendje tërësisht të shkatërruar. Në këtë rrugë nuk kalojnë vetëm banorët lokal, por e njëjta shpie drejt kalimit kufitarë me Kosovën në fshatin Jazhincë. Lidhja me kufirin e bën edhe më të ngarkuar këtë rrugë, e cila siç mund të shihet nga pamjet është në gjendje edhe më të rëndë sesa rrugët malore.
Banorët dhe kalimtarët e anketuar nga televizioni Shenja thonë se gjendja e rrugës është bërë e papërballueshme, ndërsa kanë pësuar edhe shumë dëmtime në veturat e tyre gjatë kalimit të përditshëm.
“Siç e shihni vetë, as nuk rregullohet. Me siguri ka tre muaj, në mos më tepër”, thotë njëri nga banorët e anketuar.
“Rruga është berbat, e kanë nisur dhe e kanë lënë. Njerëzit i dëmtojnë veturat”, thotë një banor tjetër.
Edhe pse nuk pranuan të flasin para kamerës, pronarët e shitoreve dhe lokaleve për rreth kësaj rrugë u ankuan se tanimë pasojat i ndjejnë edhe ata. Për shkak të rrugës së dëmtuar shumë klientë të cilët i kanë frekuentuar më herët tanimë kanë humbur me çka ata tanimë një kohë të gjatë ndjejnë pasojat në rënien drastike të shitjes.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Rrugët e Tetovës, si në mesjetë by tvshenjaofficial