Sekretari shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth, godet VMRO-DPMNE-në. Rot, pas takimit që ka realizuar sot me shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka kritikuar veprimin e VMRO-DPMNE-së për formimin e 10 grupeve parlamentare, për të cilën thotë se me irritim ka pranuar këtë informacion. Ai e ka përshkruar këtë si një shembull që nuk e ka hasur asnjëherë gjatë përvojës së tij 19 vjeçare në Bundestag.
“Ju lutem punoni bashkarisht, bashkëpunoni në interes të shtetit. Procesi i transformimit të rrugës drejt BE-së është i vështirë, por në fund do të mundësojë që njerëzit të fitojnë shpresë për ardhmëri në shtetin e tyre”, deklaroi Roth.
Rot ka deklaruar se pala gjermane nuk është shumë e kënaqur me procesin e Berlinit. Diplomati gjerman theksoi se e ardhmja e Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe se viteve të fundit është humbur besimi, që sipas tij, patjetër duhet të rikthehet me anë të reformave. Siç ka theksuar ai, “ky shtet nuk ka nevojë për asgjë më shumë se reformat dhe se është e rëndësishme që ato reforma të zbatohen në interes të shtetit dhe qytetarëve të saj”.
“Unë kam pasur përshtypjen se klima politike në Maqedoni është e helmuar. Këtu nuk paraqiten konkurrentë në garë demokratike politikisht, por këtu ka urrejtje dhe armiqësi. Kjo është e papranueshme. Nuk them se kjo është fenomen maqedonas, por këtë popullarizim momentalisht e përjetojmë në shumë shtete të Evropës Juglindore dhe Lindore”, tha Roth.
Rot ka përshndetur masat e Qeverisë së re të cilat duhet të krijojnë sërish besim, mes tjerash edhe me Greqinë dhe Bullgarinë. Duke folur mbi kontestin e emrin, ai thotë se historia duhet të mbetet në të kaluarën dhe të ecet drejt ardhmërisë së përbashkët. Ai ka vlerësuar sinjalet që që në këtë periudhë po dërgon Qeveria dhe ka thësë se Gjermania dhe BE janë të obliguar të mbështesin Maqedoninë. Ai ka shtuar se për të filluar negociatat qasëse nevojitet koncensus. Ndërkaq, ministri Dimitrov theksoi se diplomati Michael Roth ishte i rëndësishëm dhe shumë ka ndihmuar në tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. Dimitrov u pyet edhe për marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, por ai nuk shpalosi detaje rreth kësaj çështjeje, pasi sipas tij ajo do të mund të ndikojë në konsultimet mes delegacioneve të të dy shteteve.
“Kumtimi i formulive precize në këtë moment mund të ndikoj në konsultimet. Ajo që mund të them është që pala maqedonase dhe pala bullgare janë udhëhequr nga parimi ‘nëse të shkatërroj ty, do të shkatërroj edhe veten’. Baza e kompromisit që kemi arritur edhë bazë e mirë që të shkruhet tekst që edhe ne edhe Bullgaria kryleartë dhe krenarë do ta nënshkruajmë. Ajo ishte qëllimi dhe mendoj se të dy delegacionet kanë lëshuar negociatat me ndjenjën se në kornizën e rrethanave kemi bërë maksimumin”, deklaroi Dimitrov.
Diplomati gjerman po ashtu është takuar edhe me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, ndërsa ditën e djeshme realizoi takim me kryeministrin Zoran Zaev.
Teuta Buçi /SHENJA/
Rot: Keni humbur besimin, punoni në këtë drejtim by tvshenjaofficial

