Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në vend Mihalis Rokas lidhur me listën e zezë amerikane në të cilën janë vendosur ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjyqtari i Apelit Enver Bexheti tha se tani është e rëndësishme që gjyqësori në vend ndërmarr të gjitha veprimet e mundshme lidhur me këtë rast por edhe me të gjitha rastet e tjera ku korrupsioni është prezent në shtet.
MIHALIS ROKAS EUROAMBASADOR
“SHBA-të kanë bërë një hap të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit duke vendosur në listën e zezë ish-Zv.kryeministrin Artan Grubi dhe gjyqtarin e Apelit Enver Bexheti. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është që gjyqësori në vend të ndërmarrë të gjitha veprimet jo vetëm në lidhje me këtë rast të fundit, por edhe të gjitha llojet e tjera të korrupsionit që janë prezente, për të pasur një gjyqësor të pavarur”.
Ai theksoi se BE-ja ka ndërmarrë aktivitete dhe përpjekje të rëndësishme për të siguruar mekanizma për forcimin e gjyqësorit.
MIHALIS ROKAS EUROAMBASADOR
“Këtu mund të përmend misionin vlerësues të BE-së i cili ka dhënë 40 rekomandime për gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut, kështu që mendoj se gjëja më e rëndësishme është që gjyqësori të bëhet organ i pavarur. Një gjyqësor profesional dhe i pavarur mbetet prioritet kyç për procesin e ardhshëm të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Me ekzistencën e një gjyqësori të pavarur, besimi në shoqëri do të rritet dhe shpresojmë që kjo të ndodhë shumë më shpejtë”.
I pyetur për kontrollet që po bëhen në Këshillin Gjyqësor, Rokas tha se Prokuroria Publike duhet të bëjë të gjitha kontrollet e mundshme në rastet kur ka dyshime për ekzistimin e korrupsionit në një institucion të caktuar.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/