Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Tregtisë së Republikës së Turqisë kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët mbi Bashkëpunimin Doganor, me anë të së cilës të dyja palët angazhohen të veprojnë së bashku në luftën kundër krimit të organizuar dhe në përshpejtimin e rrjedhës së tregtisë së ligjshme.
Deklarata e Përbashkët u nënshkrua sot në Ankara nga Drejtori i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë, Boban Nikollovski, dhe Zëvendës Ministri i Tregtisë i Republikës së Turqisë dhe përgjegjës për politikat doganore, Sezai Ucarmak. Drejtori Nikollovski thotë se kjo deklaratë e përbashkët është një konfirmim i angazhimit të ndërsjellë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
Boban Nikollovski, Drejtori i Drejtorisë së Doganave
“Ne angazhohemi për krijimin e profileve të përbashkëta të rrezikut, komunikim të drejtpërdrejtë në kohë reale, shkëmbim informacioni të inteligjencës dhe pjesëmarrje në operacione të përbashkëta që synojnë parandalimin dhe zbulimin e strukturave kriminale. Paralelisht, ne jemi të përkushtuar për thjeshtimin e procedurave doganore, shkëmbimin e ekspertizës dhe mbështetjen e ndërsjellë në zbatimin e konventave dhe standardeve ndërkombëtare doganore”.
Zëvendësministri i Tregtisë së Republikës së Turqisë, Sezai Uçarmak, deklaroi se të dy shërbimet kanë shumë fusha dhe tema për bashkëpunim, dhe se marrëveshja e sotme është një konfirmim i angazhimit të tyre për veprim të përbashkët në ato fusha.
Sezai Ucarmak, zëvendësministri i Tregtisë së Turqisë
“Të dy vendet ndodhen në një korridor të rëndësishëm transporti dhe ndajnë qëllime të përbashkëta si vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të dyja palët zbatojnë të njëjtat rregulla dhe standarde ndërkombëtare, me qëllim lehtësimin dhe përshpejtimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”.
Në kuadër të takimeve në Ankara, do të mbahet edhe një takim teknik në nivel ekspertësh, në të cilin të dyja palët do të shqyrtojnë hapa konkret për të adresuar sfidat e ardhshme dhe për të intensifikuar bashkëpunimin.
Anida Murati /SHENJA/