Gjithçka filloi para dy vitesh kur Zoran Zaev paralajmëroi se do të nisë me publikimin e krimit dhe korrupsionit të pushtetit. Para se të dalë në shesh bomba e parë, policia e publikoi rastin “Puç”. Më 31 janar të vitit 2015, zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski njoftoi se lideri i LSDM-së Zoran Zaev dyshohet për spiunim dhe kërcënim ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror së bashku me tre persona persona të tjerë. Zëdhënësi i atëhershëm i policisë thoshte se Zaev e ka kërcënuar Nikolla Gruevskin se do t’i përdor provat që i ka kundër tij nëse nuk e lëshon pushtetin dhe kështu sipas tij ishte penguar marrja me dhunë e pushetit dhe prishja e rendit kushtetues të Maqedonisë.
“I dyshuari i katërt ka realizuar më shumë takime personale dhe biseda telefonike me kryeministrin. Më 28 shtator të vitit 2014, më 9 dhe 31 tetor të vitit 2014 dhe më 17 nëntor të po këtij viti. Në këto takime, i dyshuari e ka kërcënuar kryeministrin se posedon prova serioze, respektivisht kompromituese për bartës të funksioneve publike. I dyshuari i ka kërkuar kryeministrit që të formojë një qeveri teknike dhe pastaj të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në këmbim të këtij veprimi ai ka thënë se nuk do të publikojë të dhënat që i posedon”, pati thënë më 31.01.2015, ish zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Po këto fjalë i tha edhe vetë Nikolla Gruevski në një konferencë për mediat, pasi tashmë rastin kishte nisur ta hetojë Prokuroria Themelore. Gruevski tha se Zaevi e kishte shantazhuar për të formuar Qeveri teknike dhe për të shpallur zgjedhje të parakohshme me kërcënimin se në dorë ka biseda të përgjuara nga shërbime të huaja.
“Takimi i parë u zhvillua me kërkesë të tij, ndërsa disa të tjera më pas ishin të lidhura me temën fillestare. Ai më kërkoi urgjentisht formimin e një Qeverie teknike. Më tha se nëpërmjet një shërbimi të huaj për kundërzbulim kanë arritur deri tek disa biseda të përgjuara me presidentin Ivanov, me anëtarë të Qeverisë, me persona të ndryshëm publik dhe të politikës nga pozita dhe opozita dhe nga mediat. E pyeta se a është i sigurtë se me të vërtetë ka qenë një shërbim i huaj sekret? Ai tha po. Pastaj më përcjelli disa biseda telefonike. Një pjesë ishin të vërteta, disa ishin pjesësisht të vërteta, ndërsa disa të pavërteta”, pati thënë me datë 31.01.2015, ish kryeministri Nikolla Gruevski.
Nikolla Gruevski nuk zbuloi se nga cili shtet ishin shërbimet e huaja sekrete të cilat i kishin dhënë Zaevit bisedat e përgjuara. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev menjëherë doli me konferencë duke thënë se nuk ekzistojnë shërbime të huaja sekrete por materialet e përgjimit janë marrë nga të punësuar në DSK të cilët kanë dashur të nxjerrin në shesh të bëmat e pushtetit.
“Provat që i posedojmë i kemi marrë nga shërbimet në Maqedoni të cilat janë të kontrolluara nga Gruevski dhe disa individë që është edhe një provë shtesë se sistemi i kontrollit po ju rrënohet. Në Maqedoni ka patiotë të cilët ia duan të mirën shtetit të tij. Është gënjeshtër ajo se unë e kam shantazhuar. Unë asnjëherë nuk e kam shantazhuar dhe as nuk do ta shantazhoj askënd. Gruevskit i thashë qartë se kemi prova për qeverisjen e tij kriminale ndërsa të gjithëve në Maqedoni u them se askush nuk ka të drejtë që ta fsheh të vërtetën”, tha me datë 31.01.2015, kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev.
Për të vërtetuar tezën se pushtetit kanë dashur t’i bëjnë “Puç”, në rrjetet sociale u lëshuan disa video incizime në të cilat dëgjohen biseda të shkëputura nga takimi i Nikolla Gruevskit dhe Zoran Zaevit. Në incizime dëgjohen sekuenca të bisedave për shërbime të huaja sekrete dhe për Qeveri teknike. Për këto biseda u tha se janë marrë me masa të veçanta hetimi por se si kanë përfunduar në internet, ende nuk është e qartë.
Periudha pas rastit “Puç” ka qenë e mbushur me konferenca për media në të cilat publikoheshin bombat e opozitës. U shfaqën një sërë rastesh korruptive, kriminale, raste të keqpërdorimit të skajshëm të institucioneve dhe parave të qytetarëve. U publikua edhe bomba për rastin e vrasjes së Martin Neshkovskit por asnjëherë për rastin “Monstra”. Për “Sopotin” kishte sekuenca të caktuara por që nuk ndihmuan për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.