
Akoma pa u shkrirë mbetjet e borës që e mbuluan Maqedoninë rreth dy javë më parë, reshje të reja të borës e mbuluan përsëri vendin tonë. Pas rreth dy javëve temperatura shumë të ulëta nën zero, ditëve të fundit temperaturat e ajrit ishin pozitive, duke krijuar kështu kushte për reshje të reja të borës. Komunikacioni në të gjitha rrugët e shtetit po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa dhe me mbetje të borës nëpër rrugë. Nga Lidhja Auto Moto e Maqedonisë, informojnë se sot në mëngjes u vendos ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda transportuese në qafën malore Pletvar dhe në rrugën magjistrale Ohër – Gostivar në qafat malore Strazhë dhe Presekë, në rrugën magjistrale Gostivar-Dibër.
Aksi rrugor Makedonski Brod-fshati Zdunje në të cilin gravitojnë 11fshatra, nuk është i kalueshëm për të gjitha llojet e makinave. Ndërkaq, ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë”, informoi se pasdite është hequr ndalesa për transportuesit në aksin rrugor Gostivar – Kërcovë nëpërmjet Strazhës dhe në aksin rrugor Mavrovë –Dibër dhe në qafën malore Pletvar. Ndërkaq, ndalesa vazhdon në rrugën magjistrale Ohër- Gostivar në qafën malore Strazhë si dhe rrugën magjistrale Gostivar -Dibër.
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi, përveç në Deve Bair ku ka ndalesë prej 30 minutave.Ky informacion ka të bëjë vetëm për vendkalimet e Maqedonisë.
Lidhja Auto Moto e Maqedonisë, rekomandon kujdes në drejtimin e automjetit, shpejtësi të përshtatur të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. E ndërkaq, pavarësisht reshjeve të borës, tani për tani qarkullimi ajror dhe hekurudhor po zhvillohet pa ndalesa.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Reshjet në Maqedoni, dëbora bllokon disa akse… by tvshenjaofficial