Refuzohet ankesa e dytë e Prokurorisë Speciale me të cilën kërkon që Sead Koçanit t’i shqiptohet paraburgim e jo t’i merret vetëm pasaporta dhe garancia prej 1 milion eurosh. Për Specialen kjo nuk është garanci se ai përsëri nuk do të ikë ose nuk do të ndikojë në dëshmitarët dhe provat duke u bazuar në arratinë e tij prej më shumë se dy muajsh. Por, Gjykata Themelore është në një vijë me Gjykatën Supreme të Jovo Vangellovskit me vlerësimin se Koçan nuk rrezikohet të ikë. Kështu që derisa të vijojë procesi kundër tij, Koçan do të mbetet në liri.
Ky vendim është përfundimtar pasi i ka kaluar të gjitha shkallët gjyqësore, por nëse ekzistojnë rrethana të reja, nëse i dyshuari kapet ose ka informata se ndikon në dëshmitarë, shkatërron prova, ose tenton të të ikë nga shteti, ka bazë që kërkesa e paraburgimit të riaktivizohet.
Sead Koçan ishte në arrati më shumë se dy muaj por këtë udhëtim të klientit të tij avokati Nikolla Dodevski e quante si udhëtim zyrtar në të cilin Koçan është nisur para se ta merr vesh se ndaj tij ka fletëarrest dhe vendim për paraburgim. Momenti më i ri ishte se Dodevski e arsyetoi arratinë me gjendje të përkeqësuar të Koçanit, por nuk tregoi se përse klienti i tij nuk u kthye teksa vendimi për paraburgim ishte në fuqi e jo pasi që gjykata supreme e kishte lënë të lirë.
Sead Koçan dyshohet për krim financiar në vlerë prej 17 milion eurosh të cilin e ka bërë nëpërmjet firmës së tij “Transmet” e cila ka falsifikuar dokumentacionet zyrtare për të fituar tenderë.
Refuzohet kërkesa e PSP-së, Koçan mbrohet në liri by tvshenjaofficial

