Biznesmeni Sead Koçan nuk është kapur ende nga policia, ndërkohë që dje Gjykata Penale i shqiptoi 30 ditë paraburgim. Gjykata Penale e Shkupit ka kërkuar nga policia që menjëherë ta gjejë Koçanin dhe ta dërgojë në Burgun e Shutkës pasi që dyshon se ai mund të ndikojë në dëshmitarët ose të shkatërrojë provat.
“Për shkak të dyshimeve të bazuara se i dyshuari ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, shqiptohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30ditësh, duke numëruar nga dita kur do të kapet dhe privohet nga liria. Obligohen personat e autorizuar nga MPB, SPB Shkup, dhe njësite të tjera policore që ta gjejnë të dyshuarin S.K dhe ta dërgojnë në burgun e Shkupit, ndërsa menjëherë pas kësaj ta informojnë Gjykatën Themelore”, thonë nga Gjykata Penale e Shkupit.
Avokati i tij Nikolla Dodevski tha se ai nuk është i njoftuar me këtë vendim dhe se për këtë gjë ka marrë vesh prej mediave. Dodevski nuk ishte i qartë nëse Koçan është në arrati ose jo.
“Deri më tani mbrojtja nuk ka marrë asnjë vendim për shqiptimin e paraburigmit për të akuzuarin Sead Koçan. Si e marrin vesh mediat para të akuzuarit ose mbrojtjes nuk ekemi të qartë. U munduam ta gjejmë vendimin në Gjykatën Themelore, por nuk arritëm ta gjejmë. Derisa nuk na e dorëzojnë vendimin, Sead Koçan është një qytetar i lirë”, thotë avokati Nikolla Dodevski.
Prokurorja Speciale Katica Janeva tha se për këtë vendim e kishte informuar gjykatësja, por letrën ose vendimin zyrtar ende nuk e ka parë pasi që është dashur të paraqitet në gjykatë për rastin “Shuplakat e Zhernovskit”
“Jemi të njoftuar, por nuk e kam parë vendimin. Nuk e di se a na ka arritur në adresë. Na njoftoi gjykatësja se sot do të dorëzohet vendimi. Por deri para se të vijmë këtu nuk e kishim vendimin. Ne e respektojmë gjykatën, sidomos kur punon me drejtësi. Vlerësoj se secili funksionarnë Maqedoni, përfshirë këtu edhe mua, duhet ta bëj punën e tij me nder dhe në mënyrë të drejtë”, tha prokurorja speciale, Katica Janeva.
Sead Koçan është pronari i kompanisë “Transmet”, e cila rezulton si një prej firmave e cila ka manipuluar të dhënat për kapacitetin, profilin dhe për kuadrin e saj vetëm e vetëm që të fitojë tenderë disamilionësh të ELEM-it. Koçan është edhe pronar i TV NOVA dhe i shumë kompanive të tjera.Sead Koçan u mor në pyetje javën e kaluar por që prej atëherë nuk është parë më në opinion. Spekulohej se Koçan ka mundësi të jetë arratisur. Por, avokati i tij asesi nuk e pranonte një gjë të tillë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Rasti “Trust”, Koçan akoma nuk është kapur nga… by tvshenjaofficial