“Tri herë në javë, 4 orë dializë. Pa asnjë siguri për ditën e nesërme”. Kjo është përditshmëria e Zinep Iseinit e cila sot ka vetëm një kërkesë – që ta ndihmoni për gjendjen e saj shëndetësore dhe për kushtet e jetesës.
Zinep Iseini 35 vjeç nga Gostivari jeton e vetme, e sëmurë rëndë dhe sot rrezikon të mbetet edhe pa strehë, pasi nuk ka mundësi ta paguajë qiranë. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ajo nuk ka mundur të punojë asnjëherë dhe jeton vetëm nga ndihma sociale dhe mbështetja e bamirësve. Por këto mjete nuk mjaftojnë as për nevojat më elementare të jetës.
Për gati se 20 vite, ajo trajtohet në spitalin e qytetit të Shkupit, tre herë në javë, nga katër orë dializë çdo seancë. Për Zinepin, dializa nuk është zgjedhje, por mënyra e vetme për të mbijetuar, nga ku pa të, jeta e saj rrezikohet drejtpërdrejt. Pa familje, pa mbështetje dhe pa mundësi për të siguruar të ardhura, Zinepi është e detyruar ta përballojë e vetme sëmundjen dhe varfërinë.
Me të ardhura minimale, sociale prej 4000 denarësh, ajo përballët me shpenzime të larta për barna, udhëtime drejt Shkupit dhe shpenzimet për jetesë, të cilat e kanë vënë në kufijtë e mbijetesës.
ZINEP ISEINI
“Jetoj këtu tek kjo shtëpia në Gostivar me qira…. Hapat më kushtojnë rreth 50 euro, mujoren që shkoj në Shkup e nxjer ka 7000 denarë, nuk më dalin ato para për azgjë, pres kush të më ndihmojë dhe të ja dal muajin, tja dali. 4000 denarë e kam socialen, hapat i pijë, në Shkup që shkoj 3 herë në javë, nuk mjaftojnë ato 5000 denarë”.
Ndërkaq, sëmundja nuk e kufizon Zinepin vetëm fizikisht, por edhe në funksionimin e përditshëm të jetës. Për shkak të dializës, ajo shpesh nuk ka forcë as për punët bazike të shtëpisë apo gatimin. Ushqimin detyrohet ta përgatisë një ditë më herët, vetëm që të ketë çfarë të hajë ditën tjetër.
Përveç gjendjes shëndetësore, ajo përballet edhe me një të kaluar të rëndë familjare dhe mungesë të plotë mbështetjeje. Zinepi tash e katër vite ndodhet në listën e pritjes për transplant dhe aktualisht është duke kryer analizat e nevojshme, me shpresën se së shpejti do t’i jepet një mundësi për një jetë pa dializë.
ZINEP ISEINI
“Po do të kisha dashur pikë së pari një transplant ta bëj dhe ta kemë një kulm mbi kokë të mos paguaj qira, se me të vërtetë nuk mund të ja dal. Po halla më ka rritur, prindërit më kanë lënë shumë të vogël mua 2 javë më kanë lënë. gjyshja ndëroi jetë unë ngela vetëm. Po babi ka qenë por ai u frik shumë dhe nuk e di më la mua në spital dhe iku u tremb shumë. Ka 4 vite që pres në listë jam, tash jam duke i bërë disa analiza, shpresoj se do të ketë diçka”.
Por deri atëherë, vështirësitë ekonomike dhe frika për të mbetur pa strehë e kanë vënë atë në një situatë të rëndë. Me të ardhura minimale, ajo mezi arrin t’i mbulojë edhe shpenzimet bazike për ujë dhe rrymë, ndërsa çdo ditë jeton me frikën se mund të përfundojë në rrugë, ndaj në mungesë të çdo sigurie, ajo sot kërkon ndihmën e qytetarëve për të mbijetuar, duke shpresuar se dikush do t’i zgjasë dorën.
ZINEP ISEINI
“Mesazhi im është, do ju kisha lutë kush sa ka mundësi të më ndihmojë se me të vërtetë e kam qiranë 2 muaj pa paguar, do të vijë pronari do të më nxjerrë… Drunjtë që i patë jashtë i kam marrë prej tek parku, mi dhanë për sevapë dhe një vëlla më ndihmoj më pru pak drunj edhe ashtu mundohem ta kaloj dimrin. Po do përfundoj jashtë nëse nuk e paguaj”.
Në mungesë të një zgjidhjeje afatgjatë, shpresa e saj mbetet humaniteti. Çdo ndihmë, sado e vogël, për Zinepin do të thotë jetë.
XHIRO LOGARIA:
NLB Banka: 210501774047502
Stopanska Banka: MK07200002223083628
Tel: 070 821 757


