Vetëm një ditë na ndan nga fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit dhe kjo atmosferë më së shumti vërehet në treg. Një numër i madh qytetarësh sot kishin dalë për të bërë përgatitjet e tyre për këtë muaj.
“Po me ble diçka normal…Përgatitje tash për Ramazan, duhet të përgatitemi tash normalisht..,duhet të përgatitemi ne”, thotë një qytetar.
“Po bëjmë përgatitje për Ramazan dhe kështu”, thotë një qytetar tjetër.
Këtë vrull të qytetarëve po e ndjejnë edhe shitësit e ‘Bit Pazarit’, shumica e të cilëve nuk kishin kohë të prononcohen për shkak të lëvizjes së madhe të qytetarëve. Mirëpo, disa prej tyre shpreheshin të kënaqur me faktin se sot është thyer rutina e tyre, për shkak se kanë pasur shumë punë. Ata gjithashtu njoftuan se nuk kanëbërë ndonjë ndryshim të çmimeve dhe se ato janë të njëjtasikur ditëve tjera.
“Po ka lëvizje sot, normalisht se sot është dita e fundit, për Ramazan. Njerëzit sot dalin më shumë…Jo çmimet janë të njëjta”, thotë njëri nga shitësit.
“Lëvizje më të madhe shihet. Para dy viteve nuk ka pasur lëvizje aspak, se unë kam punuar vetë në treg, se qeveria ashtu ishte që nuk e lejonte popullin të punoj, nuk e linte të lëvizë”, thotë një qytetar tjetër.
Mirëpo, kishte edhe prej shitësve që nuk ishin të kënaqur nga numri i qytetarëve që kishin dalë sot për të blerë, pasi sipas tyre është shumë i ulët në krahasim me atë që duhet të jetë dhe kjo për shkak të kushteve të vështira ekonomike me të cilat përballen qytetarët.
“Si të ketë lëvizje, nuk ka para populli…Shumë dobët jemi, prej vjet, por tash situata si është ndryshuar kemi shpresë që do të ndryshohet, se deri tani ka qenë shumë dobët…Para nuk ka, parat kanë shkuar për përmendoret e Gruevskit, kjo është. Kriminelët u panë se kush janë në shtet, parat i harxhuam i morën për vete”, thotë njëri nga shitësit e anketuar.
Edhe në vitet e kaluara tregjet janë gjallëruar para dhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Emine Ismaili /SHENJA/

