Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë do të zhvillojnë për herë të parë mbledhje të përbashkët qeveritare në vjeshtë të këtij viti. Këtë e kanë kumtuar sot dy shefat e diplomacisë së këtyre dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Ditmir Bushati, pas takimit të realizur në Tiranë. Ministri Bushati theksoi se takimi i përbashkët i dy qeverive është një zhvillim i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këtë mbledhje mes tjerash, do të diskutohen edhe projekte të përbashkëta të dy vendeve.
“Në vijim të bisedës dhe dakordësisë në Trieste mes dy kryeministrave, ne sot ramë dakord bashkë për të zhvilluar mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive tona në vjeshtën e këtij viti në Pogradec. Ky do të jetë një zhvillim i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Shqipëria dhe Maqedonia e kanë gjithë potencialin për të krijuar një aks të ri zhvillimor në rajon, duke dinamizuar infrastrukturën në përgjithësi. Ne duam të zhvillojmë më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Maqedonia është një fqinj i rëndësishëm”, deklaroi Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Dimitrov dhe Bushati në takim kanë diskutuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ecuria e reformave për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ministri Dimitrov, vuri në dukje se në bashkëpunimin midis dy vendeve është i rëndësishëm intensifikimi i politikës së jashtme për të bindur Brukselin në mënyrë që Ballkani të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Duhet të punojmë me vendosmëri. Në këtë vizitë, jemi marrë vesh që të bëjmë më tepër sesa deklarata politike. Premtimi im është të punojmë në raport me politikën e jashtme dhe të gjithë së bashku ta bindim Brukselin që është koha që Ballkani të jetojë. Ne dëshirojmë që fqinjët tanë t’i shndërrojë në njerëz përkrahës të mëdhenj”, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Dimitrov në Tiranë është pyetur edhe për ligjin e gjuhës shqipe për të cilin tha se çdo gjë do të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe në interes të qytetarëve të vendit.
“Në raport me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika është që të bëhet çdo gjë që është në dobi të qytetarëve tanë shqiptarë dhe të tjerëve. Projektligji do të kalojë në Qeveri dhe në Kuvendin e Maqedonisë, që të jetë në përputhje me Kushtetutën”, ka shtuar më tej Dimitrov.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Dimitrov zhvilloi takim edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.
Teuta Buçi
Qeveria e Maqedonisë dhe Shqipërisë mblidhen në… by tvshenjaofficial

