ushteti nuk ka qenë sot i disponuar për të pranuar amendamentet e opozitës, si të BESËS ashtu edhe të VMRO-së të cilët edhe sot nuk ishin në sallën e Komisionit
Qefser Abdyli
Edhe sot ka vazhduar diskutimi rreth buxhetit për vitin 2018, ku deputetët e opozitës shqiptare Lëvizjes BESA propozuan disa amendamente, por që asnjëra nga këto nuk u votua. Në seancë përsëri nuk ishin të pranishëm deputetët e VMRO-DPMNE-së, që po ashtu kishin parashtruar amendamente. Edhe amendamentet e tyre janë hedhur poshtë.
Rexhep Memedi nga Lëvizja BESA propozoi që të ndahen mjete për rikonstruimin e sallës sportive të shkollës “Bajram Shabani” në Kumanovë.
“Nëse shohim nga një pjesë e madhe e amendamenteve që i propozuam, kanë të bëjnë me rikonstruimin apo rinovimin e shkollave fillore, që tregon për një fakt se fatkeqësisht në shumicën e shkollave fillore në vendbanimet shqiptare sidomos procesi edukativo-arsimorë zhvillohet në kushte jo adekuate, dhe nëse shohim retorikën se vazhdimisht flasim për reforma në arsim sidomos këto 10 vitet e fundit janë bërë një mori reformash në letër për sa i përket programeve mësimore e kështu me radhë. Prandaj, vlerësoj se nëse duam të bëjmë reforma në arsim mendoj se duhet të fillojë nga krijimi i kushteve optimale për zhvillim normal të procesit edukativo- arsimorë, gjë që sot nuk e kemi në shumicën e shkollave fillore sidomos në vendbanimet shqiptare”, tha Memedi, njofton Medial.mk.
Zv/ministrja e Financave Shiret Elezi tha se nuk pajtohet me konstatimin e Memedit të BESËS pasi që sipas saj, “nuk mund të thuhet që në gjitha shkollat shqiptare nuk ka pasur investime në arsim”.
“Kemi komunat në rajonin Perëndimor apo në rajonin e Pollogut të cilat janë nga struktura lokale qoftë nga kryetarët e komunave dhe këshilltarët e komunës që kanë thithur edhe fonde por edhe nga vet buxheti komunal për rikonstruim dhe renovim, që pikërisht dua ta potencoj që konform ligjit për vetëqeverisje lokale menaxhimi me shkollat fillore dhe të mesme është komplet përgjegjësi e pushtetit lokal”, tha Elezi.
Deputeti Ejup Alimi nga radhët e BDI-së tha se për reformat në arsim si kompetencë e pushtetit lokal edhe shkollat fillore po edhe ato të mesmet, “duhet të dorëzojnë projekte që janë të përfunduara që të mund t’i shfrytëzojnë mjetet”.
“Ne këtu mund të dorëzojmë amendamente të ndryshme me shuma të ndryshme dhe kërkesa të ndryshme për lokacione anembanë komunave në Maqedoni, por realisht procedurat ligjore janë të tilla… Tani është i domosdoshëm një koordinim mes pushtetit lokal dhe mes pushtetit qendror por edhe me deputetët e Parlamentit që të përmirësohet eventualisht ndonjë ‘harresë’, por këtu do kisha sugjeruar për neve si deputetë të pushtetit të jenë të pranuara ato amendamente…”, ka thënë Alimi.