Këshilli i Prokurorëve Publikë ka publikuar shpallje për zgjedhjen e gjithsej 47 vendeve të punës si prokurorë publikë në disa Prokurori Themelore në territorin e gjithë shtetit.
Në shpalljet e këtij konkursi pritet të aplikojnë kandidatët nga gjenerata e tetë e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, të cilëve një ditë më parë iu dorëzuan certifikatat për përfundimin me sukses të trajnimit fillestar.
Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska, sqaroi se publikohetshpallje për zgjedhjen e 14 prokurorëve publikë në Prokurorinë Themelore të Shkupit, katër në Prokurorinë Themelore të Tetovës, nga tre në Prokuroritë Themelore të Kumanovës, Ohrit, Prilepit dhe Shtipit, nga dy në Prokuroritë Themelore të Gjevgjelisë, Manastirit, Gostivarit, Kërçovës dhe Strumicës dhe nga një në Prokuroritë Themelore të KrivaPallankës, Velesit, Resnjës, Strugës, Radovishit, Delçevës dhe Koçanit.
DUSHICA DIMITRIESKA, KRYETARE E KËSHILLIT TË PROKURORËVE
“Situata është alarmante, aktualisht mungojnë rreth 100 prokurorë publikë, kështu që kjo shifër prej 47, sigurisht, nëse aplikojnë, do të lehtësojë gjendjen në një masë të caktuar”.
Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Ljupço Kocevski, më parë në një deklaratë për mediat, theksoi se për të paktën tre vitet e ardhshme nuk do të zgjidhet asnjë prokuror i ri, duke pasur parasysh që gjenerata e nëntë do të duhet të kalojë një trajnim 20-mujor.
Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë të mërkurën ka dorëzuar certifikatat për kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë publikë nga gjenerata e tetë që kanë përfunduar trajnimin fillestar në Akademi. Siç informoi drejtoresha e Akademisë, Irina Trajkoska Strezoski, certifikatat morën gjithsej 97 kandidatë, nga të cilët 50 janë gjykatës dhe 47 janë prokurorë publikë. /SHENJA/