Publikohen pamjet e fundit të 22-vjeçarit Renis Dobra, vetëm pak çaste përpara rrëmbimit dhe vrasjes së tij më 8 korrik në fshatin Zenisht të Matit. Nga videoja e siguruar, duket qartë një automjet tip “Hyundai” që ndjek nga pas makinën e të riut në një distancë të afërt, shumë pranë banesës së tij.
Sipas hetimeve, pikërisht ky mjet u përdor nga autorët për të ndjekur, rrëmbyer dhe më pas për të transportuar viktimën drejt zonës ku u gjet trupi i pajetë, i hedhur së bashku me makinën në një humnerë pranë liqenit të Shkopetit.
Në skemën e ndjekjes dhe rrëmbimit ishte përfshirë edhe një “Range Rover” i zi, i cili dyshohet se ka shërbyer për vëzhgimin e rrugës, duke koordinuar lëvizjet e autorëve.
Të dyshuarit kryesorë – Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka – janë arrestuar, ndërsa Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka vijojnë të jenë në kërkim. Burime nga hetimi thonë se autorët u ndihmuan nga persona që njihnin mirë zonën dhe që i shoqëruan për tre ditë në Burrel për të monitoruar lëvizjet e viktimës.
Sipas raportimit të gazetarit Enver Doçi, pista kryesore e hetimit lidhet me një konflikt të mundshëm për drogë në Gjermani, por nuk përjashtohet as pista e një vrasjeje me pagesë.
Pas rrëmbimit, autorët e torturuan dhe më pas e mbytën me litar. Fillimisht tentuan të hidhnin trupin pranë urës së Ulzës, por planin e tyre e prishi një makinë që kaloi në ato momente. Më pas, trupin e hodhën rreth 2 kilometra më larg, në liqenin e Shkopetit.
Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes makabre.