MARKETING
Shkak protesta e studentëve të hënën, alarmohen ndërkombëtarët në disa versione. Kryeministri Hristijan Mickoski, thotë se ka informuar aleatët në NATO por edhe të BE-së për tentim për destabilizim nga ana e opozitës. Po ashtu edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se ka informuar përfaqësuesit e komuniteti ndërkombëtar, për siç thotë ai, përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur protestat studentore si të motivuara politikisht.
Ndërkohë, kryeministri është shprehur se po punojnë për gjetjen e zgjidhjes për provimin e jurisprudencës, që i njëjti të jetë në përputhje me kushtetutën dhe me standardet ndërkombëtare.
Hristijan Mickoski, kryeministri
“Është fakt është se kemi mendim negativ nga Komisioni i Venedikut kur bëhet fjalë për dygjuhësinë në gjyqësor sepse së pari nuk kemi resurse të mëdha për ta implementuar dhe e dyta nuk garantohet sundimi i së drejtës dhe për këtë shkak ata fuqishëm na rekomandojnë që të kthehemi në ligjin e vitit 2008-2009. Njëkohësisht është fakt se studentët të cilët mësojnë fakultetin juridik në gjuhën amtare në këtë rast në gjuhën shqipe kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe janë pjesë e sistemit arsimor në RMV”.
Kurse, Osmani në anën tjetër thekson se në një moment kur kërkohet zbatim i plotë i të drejtave, është thelbësore që komunikimi me komunitetin ndërkombëtar të bazohet në fakte dhe në paraqitje të drejtë të realitetit.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së
“Sot informova përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar mbi përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur në mënyrë të shtrembëruar natyrën e protestave studentore, duke i etiketuar ato si të motivuara politikisht dhe duke krijuar një perceptim të pasaktë për realitetin në vend. Theksova se këto përpjekje për të orientuar gabimisht partnerët ndërkombëtarë nuk reflektojnë shqetësimet reale të studentëve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e të drejtave ekzistuese”.
Një ditë më parë, mijëra student protestuan duke kërkuar që provimin e jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Kërkesa e tyre jehoi edhe jashtë kufijve, duke gjetur mbështetje edhe te përfaqësuesit politik dhe personazhet publike shqiptarë të vendeve fqinje. Edhe pas protesës nga Ministria e Drejtësisë reaguan duke thënë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/


