Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe pak muaj deri në implementimin e masës “Safe City”, jo të gjitha bulevardet në vend, të cilat janë pjesë e kryeqytetit, janë pajisur me kamera sigurie.
Një prej tyre është Bulevardi “Boris Trajkovski”, që ndodhet në Komunën e Kisella Vodës.
Për të parë gjendjen, ekipi i TV Shenja qëndroi në këtë bulevard. Nga ajo që pamë në terren, kamerat e sigurisë që janë paraparë për këtë projekt nuk ndodheshin as në shtyllat e semaforëve, e as në shtyllat përgjatë rrugës.
Për këtë çështje, kërkuam përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Pyetëm se pse pikërisht kjo rrugë – e njohur ndër vite për numrin e lartë të aksidenteve dhe rasteve tragjike – është përjashtuar nga masa dhe pse nuk janë vendosur kamerat e sigurisë.
Nga MPB thonë se procesi nuk është përfunduar dhe se edhe në bulevardin në fjalë, do të vendosen kamera po edhe matës të shpejtësisë.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Në bazë të dinamikës dhe implementimit të masës “Safe City”, në bulevardin në fjalë do të vendosen matës të shpejtësive dhe kamera në tre lokacione të ndryshme përgjat rrugës”.
Megjithse, instalimi i kamerave si proces ende nuk ka përfunduar, situata drastikisht është ndryshe në rrugët dhe bulevardet që ndodhen në komunat shqiptare.
Në Çair, nga udhëkryqi tek Qendra Tregtare Mavrovasja, deri tek parku i Çairit, përgjatë bulevardit Cvetan Dimov ishin vendosur katër kamera të tilla.
Ndryshe, implementimi zyrtar i masës “Safe City” pritet të fillojë në janar të vitit 2026, pasi të mbyllen zyrtarisht ndryshimet ligjore të nevojshme për këtë masë, ndërkaq një muaj më heret sipas paralajmërimeve të MPB-së, pritet të jetë faza testuese në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.
Mevludin Imeri /SHENJA/