Reshjet intensive dhe dalja e ujërave nga shtrati kanë sjellë pasoja të rënda në zonat bujqësore të qarkut të Lezhës.
Sipërfaqe të tëra toke kanë mbetur nën ujë, duke dëmtuar prodhimin bujqësor, veçanërisht kulturat e jonxhës dhe grurit.
Të dhënat paraprake të mbledhura nga strukturat vendore tregojnë se përmbytjet kanë prekur gjithashtu edhe kultura të tjera, ndërsa ndikimi në blegtori dhe banesa paraqitet më i kufizuar.
Në terren janë angazhuar dy grupe pune të Bashkisë Lezhë, të cilat kanë realizuar inspektime dhe verifikime të detajuara për evidentimin e dëmeve.
Drejtori i Bujqësisë, Paulin Gjergji, konfirmon se:
“Procesi i vlerësimit është drejt mbylljes, duke u bazuar si në dokumentacionin e dorëzuar nga fermerët, ashtu edhe në kontrollet në terren”.
“Po operojmë me dy grupe, njëri është në Balldre dhe Zadrimë dhe tjetri në Zejmen dhe Shënkoll. Aktualisht jemi në Spiten të Zejmenit ku janë evidentuar 120 hektarë të përmbytur. Po verifikohen edhe dëmet në banesa, blegtori, pemëtari dhe bujqësi. Totalisht ka 1700 hektarë të përmbytur dhe procesi pritet të mbarojë sot pasdite”, shpjegoi kreu i Bujqësisë në Bashkinë Lezhë.
Dëmet janë evidentuar në rreth 1700 hektarë. Pjesa më e madhe i përket jonxhës me rreth 60 për qind, e ndjekur nga gruri me 35 për qind, ndërsa sipërfaqet e mbetura përfshijnë ullinj, lakra dhe agrume. Në blegtori dhe banesa dëmet janë më të vogla.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se pas finalizimit të raportit përfundimtar, dosjet do t’u dërgohen institucioneve përgjegjëse për të vijuar me procedurat e mbështetjes dhe kompensimit të fermerëve të prekur.


