Përderisa çmimet e larta dhe kushtet e vështira ekonomike iu bëjnë presion qytetarëve të vendit, të cilët vazhdimisht ankohen për kushtet e vështira të jetesës, shporta minimale sindikale thuajse për çdo muaj rritet. Sipas të dhënave të publikuara nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe në maj janë rritur për 1.217 denarë krahasuar me muajin prill. Vlera e shportës minimale sindikale, sipas të dhënave të publikuara, në maj arriti në 63.908 denarë, që është 1.217 denarë më shumë se shporta sindikale e prillit, e cila ishte 62.691 denarë. Me një apartament me qira prej 60 metrash katrorë, shporta sindikale arrin në 79.283 denarë. Nga LSM thonë se kjo tregon se rritja e pagës minimale është e domosdoshme.
LIDHJA E SINDIKATAVE TË RMV-SË
“Është e qartë se pa masa, çmimet po rriten në mënyrë të pakontrollueshme, dhe sfida e çmimeve të larta, veçanërisht e produkteve bazë ushqimore, po ushtron presion të madh mbi pagat e ulëta të punëtorëve në Maqedoni. Në kushte të rritjes së kostove të jetesës, rritja e vlerës së shportës minimale , veçanërisht pas përfundimit të masave të Qeverisë, tregon se është e nevojshme rritja e pagave”
LSM-ja thekson se sot është mëse e qartë se nuk janë vetëm ata që flasin për rritjen e pagave, por edhe punëtorët dhe qytetarët që e ndiejnë këtë padrejtësi nga afër po flasin gjithnjë e më me zë të lartë. Sipas të dhënave të shportës minimale, shpenzimet për ushqim dhe pije në shportën sindikale në maj arritën në 22.434,00 denarë dhe janë 954 denarë më të larta në krahasim me muajin prill.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/