Kjo është penda e Likovës. Është hera e dytë që po e vizitojmë. Për dallim nga hera e parë kur informuam për mbeturinat që ishin hedhur aty, ato tani ishin pastruar. Peshkatarët që po peshkojnë thonë si ky vend është i përkryer për të peshkuar pasi edhe uji është i pastër, por thonë se duhet të mirëmbahet pasi sipas tyre në këtë mënyrë joshen vizituesit.
“Unë jam këtu gati 10 vite shkoj edhe te penda e epërme dhe është shumë mirë, ajri i pastër. Secili i mbledh mbeturinat e veta pasi të kemi përfunduar peshkimin, shishet prej plastikeve i hedhim në kontejner”, tha Kadri Limani, peshkatar.
“Duhet të investohet dhe duhet të ketë më shumë njerëz dhe duhet të ketë një promovim të vendit më të mirë që të vijnë njerëzit dhe ta shohin këtë bukuri natyrore”, u shpreh Zoran Bllazhevski, peshkatar.
“Mirëmbahet me aq para sa ka. Pa para askush nuk punon. Komuna me forcat që ka por nuk ka para se nuk lëshon qeveria. Kur ka qenë regjimi i Jugosllavisë ka pasur inxhinier special çdo ditë dhe ka parë pendën ndërsa tani askush nuk vjen ta shohë dhe një ditë mund edhe të shpërthejë”, tha Nijazi Jonuzi, banor i Likovës.
“Rajonin e Karadakut si vend atraksioni e karakterizon penda e Likovës dhe e Glazhnës. Kjo paraqet bukuri natyrore për këtë vend, por nuk është mjaft i frekuentuar nga vizitorët, meqë është lënë pas dore nga institucionet”.
Ministri i ri i mjedisit jetësor Sadulla Duraku, vjen nga po i njëjti vend që ka pasur probleme me deponitë e egra në Likovë. Deponitë në këtë rajon ishin shqetësim për banorët, kurse Duraku më parë ishte kryetar i komunës së Likovës.
“Sa i përket deponisë, unë mendoj se deponitë në RM janë gjitha deponi të egra. Dhe janë të paraparë afatet me programet që janë të ministrisë së ekologjisë dhe qeverisë do të jeni të informuar për dinamiken e punimeve ”, tha Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Sadulla Duraku.
Në pendën e Likovës këtë vit niveli i ujit ka arritur në 88 metra thellësi.
Përgatiti: Miradie Hasani