Po kalon dita e katërt nga afati i paraparë kushtetues prej 20 ditëve, në kuadër të të cilave mandatari Zoran Zaev duhet të formojë Qeverinë e re dhe Parlamentit t’i dorëzojë programin dhe përbërjen e ekzekutivit të ri të Republikës së Maqedonisë. Pas takimeve të para iniciuese mes partive për formimin e Qeverisë së re, për sot nuk janë parashikuar takime të reja. LSDM-ja po zhvillon diskutime brendapartiake rreth bisedimeve të deritanishme me partitë shqiptare, BDI dhe Lëvizja Besa.
“Do të ketë konsultime në kuadër të partisë për bisedimet e deritanishme, tani për tani nuk janë caktuar takime”, thonë nga LSDM.
Edhe nga Lëvizja BESA thonë se sot po zhvillohen konsultime brendapartiake. Nga ekipi negociues i kësaj partie, thonë se bisedimet janë në fazë të përcaktimit të parimeve të Qeverisë së re, duke theksuar se kërkojnë garanci se do të realizohen premtimet e dhëna.
“Një prej parimeve janë edhe afatet. Marrëveshja duhet të jetë transparente dhe e afatizuar”, thonë nga Lëvizja BESA.
Gjatë ditës së djeshme u zhvillua takim mes komisioneve partiake të LSDM-së dhe Lëvizjes BESA, ku gjithashtu u tha se bisedat janë në fazë të përcaktimit të parimeve. Përndryshe, nënshkrimet e tyre për të mandatuar Zoran Zaevin, i kanë dhënë BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët.
Pas takimeve të para, konsultime brendapartiake… by tvshenjaofficial

