Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve vazhdon të jeët temë kryesore në opionin, ndërsa kësaj here jo se inspektorët nuk kanë marrë rrogë për gjysmë viti, por, është komentuar mos flasja e drejtorit të tyre Arsim Idrizi në gjuhën maqedonase. Prononcimi para mediave i drejtorit vetëm në gjuhën shqipe, duke mos folur edhe në gjuhën maqedonase, i ka penguar më së shumti zëvendëskryeministrit dhe njëherësh edhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, i cili në një emision televiziv në Kanal 5, u shpreh i bindur, se të martën në mbledhjen e radhës të Qeverisë Arsim Idrizi do të shkarkohet 99%”.
Ndërkaq, në lidhje më këtë rast, kryeministri Hristijan Mickoski, është treguar më i butë. Ai ia ka dhënë edhe një shans Idrizit me kushtë, se nëse e përsërit edhe një herë të njejtin veprim, do ta shkarkojë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Nëse mendoni konkretisht për momentin kur ai në Kuvend nuk ka folur në gjuhën maqedonase, unë kam biseduar me të dhe nuk pres që të përsëritet, por nëse përsëritet ai do të shkarkohet”.
Deklaratën e Stoilkoviqit e ka komentuar edhe njëri ndër krerët e VLEN-it, Bilall Kasami, i cili vlerson se është “deklaratë e përshpejtuar”. Kasami tha se propozimet për shkarkime i bëjnë po të njëjtat parti që propozojnë edhe emërimet.
BILALL KASAMI,KRYETAR I LËVIZJES BESA
“Mendoj se ndoshta është një deklaratë e përshpejtuar, sigurisht që gjithë procesi i bashkëqeverisjes është në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje të partnerëve të koalicionit, nuk besoj që ka një marrëveshje për do të kisha thënë për emërimet dhe shkarkimet e funksionarëve të partive, gjithmonë ka kështu keqkuptime mes partnerëve të koalicionit, por besoj që do të tejkalohen. Unë besoj që propozimin e emërimit dhe shkarkimit e bëjnë partitë të cilët i bëjnë propozimet edhe për shkarkim”.
E, kur jemi te gjuha, Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, ka reaguar me një postim simbolik në rrjetet sociale, duke cituar vargje nga poezia e Naim Frashërit “Gjuha Jonë”.
ARSIM IDRIZI, DREJTOR I INSPEKTORATIT PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE
“Gjuha jonë, gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë,
sa e lehtë, sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë…”
Reagime nuk kanë munguar as nga partia opozitare shqiptare, BDI. Nga partia e Ahmetit, në një komunikatë për media shprehin shqetësim të thellë ndaj zhvillimeve të fundit, me të cilat Qeveria, sipas tyre, përmes një sërë hapash institucionalë, po e largon në mënyrë sistematike gjuhën shqipe nga sfera publike.
BDI
“Skandali u thellua nga vetë Ministri për Marrëdhënie Ndërmejt Bashkësive, Stoilkoviq, i cili deklaroi se do ta shkarkojë drejtorin e Inspektoratit, jo për mosfunksionim, por për t’ia treguar vendin inspektoratit. Kjo deklaratë është shfaqje e drejtpërdrejtë e presionit institucional dhe e poshtërimit ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”.
Se kush ka drejtë në këtë rast, duhet shikuar se çfarë thotë ligji për përdorimin e gjuhëve.
Kujtojmë se sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2019 në Maqedoninë e Veriut, funksionarët shqiptarë kanë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe, përfshirë paraqitjet para mediave. Ky ligj garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, krahas maqedonishtes, në nivel qendror dhe lokal. Konkretisht, neni 3 i ligjit parashikon se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe lejohet në të gjitha institucionet shtetërore dhe paraqitjet publike të zyrtarëve shqiptarë. Pra, drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, ka të drejtë të flasë para mediave në gjuhën shqipe, edhe pse mund të ketë detyrim për të siguruar përkthimin në gjuhën maqedonase për ta bërë të kuptueshme për publikun më të gjerë. Kjo praktikë zakonisht respektohet për të siguruar transparencë dhe për të shmangur keqkuptimet ndërkomunitare.
Samir Mustafa /SHENJA/