Para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, shkaktoi ankth tek të gjitha partitë politike, pasi filluan zërat në opinion se me kë do shkojë në koalicion dhe çfarë vendimesh do të ndërmarrë për të garuar në ato zgjedhje. Derisa të gjithë prisnin qëndrimin e tij, Taravari në atë kohë shkroi një status në Facebook, me ç’ka bëri të ditur se kishte vendosur të braktiste BDI-në dhe do t’iu bashkohet Lëzivjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, ku krijuan koalicionin VLEN. E njëjta situatë si duket do të përsëritet edhe në zgjedhjet lokale, ku protagonisti kryesor përsëri do të jetë Taravari. Zërat në opinion flasin se Taravari para zgjedhjeve lokale do të largohet edhe kësaj herë nga qeveria, por edhe nga koalicioni VLEN, të cilët disa herë madje kanë deklaruar se po përpiqen të bëhen një parti.
Gjatë ditës së djeshme situata politike u ndez ende më shumë dhe hapi debat më të gjerë për këto pohime, pasi njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari, deklaroi se VLEN ka një pozicion shumë të dobët në Qeveri, ndërsa bëri thirrje për të gjetur një model për një “sinergji më të mirë”. E, deklarata e Taravarit se partitë e koaliconit kanë kanale komunikimi me BDI-në, ngjalli shumë reagime brenda koaliconin VLEN, të cilët, të gjithë mohuan se kanë ndonjë lloj komunikimi me BDI-në.
Nga Lëvisja Besa mohuan se ndonjë eksponent i saj dhe kryetari Bilall Kasami janë duke zhvilluar komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Ali Ahmetin. Nga Lëvizja Besa thonë se kjo parti asnjëherë nuk ka pasur zhvillime me BDI-në dhe kanë kërkuar pensionimin e Ali Ahmetit.
LËVIZJA BESA
“Qytetarët dhe mbështetësit e Lëvizjes BESA e dijnë mirë, se që nga themelimi dhe deri më tani, asnjëherë nuk kemi qenë në komunikim me BDI-në, kur ajo është dashur të shpëtohet nga bëmat e saj, e as këtë herë nuk ka asnjë arsye për të pasur madje edhe kanal komunikimi me të. Nëse do të kishte, do të ishte i hapur dhe para qytetatëve”.
Njejtë deklaruan edhe nga Lëzivja Demokatike e Izet Mexhitit.
LËVIZJA DEMOKRATIKE
“LD nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion, ku figura kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin. Lëvizja Demokratike distancohet qartë dhe pa ekuivoke nga çdo strukturë politike që e ka shndërruar korrupsionin në mënyrë qeverisjeje dhe shtetin në mjet për pasurim personal”.
Nuk ka asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj, theksuan nga partia Alertnativa.
ALTERNATIVA
“AlternAtivA gjykon se nuk ka asnjë arsye e nevojë që të komunikohet me një parti të regjistruar në listën e zezë amerikane të personave nongrata, e cila te shqiptarët do të mbahet mend vetëm për korrupsion, krim dhe abuzim me pushtetin”.
Ndërkaq, kështu nuk thotë nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, i cili tha se BDI ka kanale të komunikimit me të gjithë, por sipas Ademit, kjo nuk do të thotë se ka diçka në drejtim të dinamikave të zhvillimit.
Samir Mustafa /SHENJA/