Partitë parlamentare shqiptare të cilat nënshkruan platformën e përbashkët me të cilën do të kushtëzojnë partnerin eventual maqedonas shpjegojnë arsyet e ndërmarrjes së kësaj nisme. Nga Rilindje me Besë thonë se për deklaratën e përbashkët janë meritore konsultimet me shtetin shqiptar dhe qëllimi i partive për të dëshmuar se janë të gatshëm ta mbështesin një kauzë të përbashkët. Deklarata, sipas Rilindjes me Besë, është përpiluar nga faktori shqiptar dhe mbështetur nga partitë parlamentare shqiptare të Maqedonisë. Kjo platformë, sipas tyre është në pajtim edhe më platformën e tyre partiake, prandaj edhe kanë shprehur gatishmëri për ta përkahur.
“Asnjëra parti nuk ka merita të veçanta, por të gjitha janë meritore njësoj, deklarata shpreh vullnetin e përbashkët që cilado parti, që sot e në të ardhmen mund të jetë pjesëmarrëse në pushtet, të zotohet se në programin qeveritar me cilindo partner maqedonas këto pika do t’i ketë ndër prioritet kryesore, mbi të cilat do të mbështetet një program i tillë bashkëqeverisës. Kjo deklaratë është në pajtim edhe me platformën RIDEFINIMI dhe programin zgjedhor të BESËS, ndërsa Lëvizja BESA, përveç kësaj deklarate, do të vazhdojë ta afirmojë edhe platformën e saj”, thonë nga koalicioni Rilindje me BESË.
Aleanca për Shqiptarët njofton se në vazhdimësi ka mbështetur idenë e bashkëveprimit politik të subjekteve politike shqiptare, por se kanë vërejtje që nuk janë integruar edhe disa parime të dala nga platforma e tyre politike.
“Natyrisht që ne kemi vërejtjet tona por nuk mund të pretendojmë që një dokument i ndërtuar në frymën e konsensusit të përbashkët të përfshi vetëm Platformën tonë politike. Kontributi ynë në hartimin e këtij dokumenti ka qenë i domosdoshëm dhe përcaktues në interes të gjithë votuesve shqiptarë, duke i inkorporuar edhe pjesë të objektivave programore dhe politike të Aleancës për Shqiptarët”, thonë nga “Aleanca për Shqiptarët”.
Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi se kryesia e saj qendrore i ka dhënë dritë jeshile kësaj platforme dhe kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.
Partitë nënshkruese kishin takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe pas harmonizimit të synimeve të tyre, kanë përpiluar platformën të cilën zotohen se do ta zbatojnë gjatë qeverisjes.