Të gjitha partitë politike në vend, kanë dënuar ashpër incidentin e dy dite më parë ku persona të cilët u prezentuan si simpatizantë të BDI-së, kërcënuan ekipin e Televizionit SHENJA. Partitë kërkojnë nga institucionet kompetente që rasti të zbardhet menjëherë dhe kërcënuesit të dalin para drejtësisë. Në reagimin e Lëvizjes BESA për kërcënimin e ekipit të Televizioni SHENJA, thuhet se sulmet ndaj mediave dhe përfaqësuesve të tyre janë të papranueshme.
Lëvizja BESA dënon ashpër kërcënimet që përfaqësues të BDI-së ia kanë bërë gazetareve të Televizionit SHENJA. Kjo vetëm dëshmon atë që është dëshmuar në të gjitha raportet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes e cila është shqetësuese në Maqedoni. Jo rastësisht Maqedonia ndodhet në mesin e shteteve ku gazetarët janë njerëzit ndër më të rrezikuar, ndërsa partitë në pushtet ndikojnë në pavarësinë editoriale duke i kërcënuar drejtpërdrejt”, thhet në reagimin e Lëvizjes BESA.
Lëvizja BESA dënon ashpër këtë sjellje skandaloze të BDI-së ndaj medieve shqiptare, sidomos kur kemi parasysh se këto kërcënime vijnë nga një parti shqiptare në pushtet, e cila, jo vetëm që nuk ndihmon aspak mediet në shqip, por tenton t’i pengojë ato. BESA thuhet më tej në reagim, është e interesuar dhe do të vazhdojë të insistojë për media të lira dhe të pavarura.
Me reagim të ashpër ka dalë edhe Aleanca për Shqiptarët e cila inkurajon televizionin Shenja që të vazhdojë me punën e vetë ndërsa shton se fjala e lirë nuk guxon të cënohet nga askush dhe në asnjë formë.
Aleanca për Shqiptarët dënon çdo akt dhune dhe çdo sulm, qoftë edhe verbal ndaj çdo gazetari, e në këtë rast ndaj ekipit të Tv Shenja. Fjala e lirë është postulat i demokracisë së një vendi dhe ajo nuk guxon të cenohet në asnjë mënyrë. Ne do angazhohemi fuqimisht që liria e fjalës të mos vazhdoj të jetë e sulmuar, ndërkaq gazetarët të jenë ta mbrojtur nga institucionet kompetente të shtetit. Inkurajojm Tv Shenja të vazhdojnë me punën e tyre dhe të kërkojnë drejtësi nga organet komepente”, thuhet në reagimin nga Aleanca për Shqiptarët.
Incidentin e ka dënuar edhe VMRO-DPMNE, e cila ju ka bërë thirje Qeverisë dhe institucioneve kompetente që urgjentisht të zbardhin rastin si mënyrë për të dëshmuar se janë kundër dhunës dhe kërcënimeve ndaj mediave dhe fjalës së lirë.
VMRO-DPMNE dënon ashpër të gjitha kërcënimet ndaj mediumeve. Ministria e Punëve të brendshme sa më shpejtë të jetë e mundur ta zbardhë rastin dhe fajtorët ti nxjerë para drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë do të dërgojë porosi se askush nuk guxon ti frikësojë gazetarët dhe mediumet dhe se ata patjetër duhet të kenë liri të shprehjes që të jenë korektor të pushtetit. Në të kundërtën, pushteti do të le dyshime se incidenti nuk është i izoluar por se është pjesë e kërcënimeve në kontinuitet të Zoran Zaevit dhe partnerëve të tij të koalicionit ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që pushteti LSDM-BDI të zbardhë të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave gjatë dy viteve të fundit kur kuadro të këtyre dy partive kanë udhëhequr me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pushteti aktual thonë nga kjo parti nuk guxon të heshtë ata që mendojnë ndryshe ose me qasje kritike ndaj politikave të Qeverisë. Ndërkaq dje incidentin e ka dënuar edhe personalisht kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev, i cili u zotua se organet kompetente do të punojnë në zbardhjen e rastit dhe kapjen e autorëve. Zaev tha se nuk duhet lejuar që të kërcënohen ose sulmohen gazetarët dhe mediat, ndërsa ftoi këta të fundit që të paraqesin te institucionet kompetente të gjitha rastet e këtilla.

