Ekonomia dhe rritja e çmimeve të produkteve bazë, kanë përplasur edhe sot partitë maqedonase në pushtet dhe opozitë. LSDM akuzon pushtetin se masat ekonomike të Qeverisë nuk po japin rezultat. Sipas tyre këtë e vërtetojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, ku siç theksojnë, shpenzimet për jetë janë rritur për 3,5%, ndërsa çmimet me pakicë për 4%.
LSDM
“Në tregje realiteti është se vetëm qumështi ka zbritje simbolike për disa denarë, ndërsa produktet tjera nuk kanë fare zbritje. Vaji është ende me çmim të rritur dhe varion nga 89 deri në 96 denarë. Vezët janë sërish rreth 100 denarë, ndërsa kushtonin 75 denarë. Sheqeri dhe kaçkavalli janë më të shtrenjta, por edhe thjerrëzat 169 denarë, fasulet 143 denarë, orizi 135 denarë. Për ato produkte që kanë të njëjtin çmim, është vërejtur se kanë më pak gramazhë”.
Kurse nga VMRO këmbngulin se masat kanë efekt. Lavdërohen se kanë ulur çmimet e mbi 1 000 produkteve dhe se njëkohësisht po rrisin pagat dhe pensionet.
VMRO
“LSDM janë ata që e rritën TVSH-në e produkteve ushqimore, që direkt ndikuan në rritjen e çmimeve. LSDM është ajo që shkatërroi ekonominë e vendit, duke u dhënë mbështetje financiare kompanive të afërta me to, ndërsa biznesmenët e vërtetë u lanë që vetë të gjenden dhe me aq sa dinë e munden të përballen mesfidat e krizës ekonomike dhe energjetike”.
Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE thonë ata, po marrin masa specifike si vendosja e marzheve të fitimit dhe shporta e produkteve që përfshijnë mbi një mijë produkte me çmime të reduktuara të shitjes. Po ashtu shtojnë se kontrollet në terren kanë vazhduar për të parë se si po zbatohen këto masa.
Emine Ismaili /SHENJA/