Ndonëse zgjedhjet lokale pritet të zyrtarizohen më javën e parë ose të dytë të muajit gusht, partitë politike kanë filluar fushatën. Partitë shqiptare luftën kryesore do ta kenë në tre komuna edhe atë në Çair, Gostivar dhe Tetovë.
Për komunat në fjalë zyrtarisht deri më tani garës i janë futur vetëm dy kandidat. Për komunën e Çairit është caktuar Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim – ish Fronti Europian. Osmani veçmë ka filluar takimet me qytetarët lagjeve të Çairit duke premtuar përmirësim të cilësisë së jetës dhe standard më të mirë për qytetarët nëse ai e fiton këtë garë. Kundër tij edhe pse ende nuk është zyrtare pritet të jetë zëvendëskryeministri Mexhiti, i cili edhe pse jozyrtarisht po në cilësinë e zv.kryeministrit ka filluar promovimin e projekteve në lagjet e Çairit.
Për Tetovën gjithashtu Aleanca Kombëtare për Integrim, ka zyrtarizar Bajram Rexhepin, ndërkaq nga VLEN pritet që edhe për një mandat tjetër t’i besohet kreut aktual të Tetovës, Bilall Kasami.
Gostivari është ende i paqartë sepse për këtë komunë ende nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare nga partitë politike, ndonëse opozita pritet të ia besojë një mandat të ri Valbon Limanit, ndërsa VLEN ende nuk ka ndonjë emër konkret. Zyrtarisht për këtë komunë kandidaturën e ka shpallur vetëm Visar Ademi si i pavarur, i cili nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me partitë politike që do të shfaqin interes.
Gara interesantе në bllokun shqiptar do të jetë edhe në Strugë ku VLEN do ta përkrahë kandidatin e pavarur, Mendi Qyra, ndërkaq për opozitën pritet të garojë Ziadin Sela.
Përdallim nga partitë shqiptare, beteja më e rëndësishme për partitë maqedonase do të zhvillohet në kryeqytet.
Si VMRO-ja edhe LSDM-ja janë të pakënaqur me punën e kryetares aktuale Danella Arsovska dhe që të dy blloqet kanë zyrtarizuar edhe emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë.
VMRO-DPMNE-ja si bartës të këtij procesi e ka caktuar kryetarin aktual të komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, ndërsa ish-ministrja e Mjedisit Jetësor, Kaja Shukova, do jetë kandidate nga opozitarja LSDM.
Kur jemi tek qyteti i Shkupit, mund të përmendim se kandidatura për kryeqytetin kanë paralajmëruar edhe partitë politike shqiptare.
Zgjedhjet lokale i nënshkruan kryeparlamentari ndërkaq menjëherë pas nënshkrimit të zgjedhjeve fillon fushata parazgjedhore e cila zgjatë 20 ditë, duke përjashtuar këtu “ditën e heshtjes” e cila është vetëm një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.
Mevludin Imeri /SHENJA/