Burg të përjetshëm për Lupço Palevskin, Velibor Manev, Vllatko Keshishev, Bore Videvskin, të cilët u shpallën fajtor për grabitjen dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskas dhe Pançe Zhezhoskit. Kurse babai i Vanjas, Aleksandar Gjorçevski i akuzuar për ndihmë në grabitje, u shpall i pafajshëm. Shpenzimet gjyqësore për të duhet të mbulohen nga shteti.
Prokurorja e lëndës Ana Stojkoviq paralajmëroi ankesë për lirimin e Aleksandar Gjorçevskit.
Ana Stojkoviq Dimitrievska, prokurore
“Kur bëhet fjalë për Aleksandar Gjorçevskin, edhe krahas asaj që gjykata vendosi që të mos arsyetoj qëndrimin e saj, për ne është e qartë se vetëm prindërit e kanë ditur se vajza atë ditë do të shkoj vetëm në shkollë. Dy nga të akuzuarit dëshmuan se pikërisht babai e ka ndarë informacionin, përmes Palevskit. Pa atë info, nuk do të vinte deri te kidnapimi”.
Avokati i Gjorçevskit Vlladimir Tufegxhiq kërkoi nga institucionet hetuese, Byroja për Siguri Publike dhe inspektorët policorë të rastit të japin përgjigje për çështjet kryesore të hetimit dhe pyet se përse ka qenë me rëndësi që me çdo kusht në hetim të përfshihet klienti i tij.
Vlladimir Tufegxhiq, avokat i Gjorçevskit
“A është bërë defokus edhe atë në mënyrë të vetëdijshme me përfshirjen e Gjorçevskit, për atë që duhet të jetë lëndë e vërtetë e hetimit? Në seancë është thënë se që nga viti 2022 janë bërë lista për kidnapim dhe vrasje njerëzish. Me qëllim realizimin e këtij plani këta njerëz kanë gërryer gropa”.
Mbrojtja e Palevskit ankohet se gjykata nuk ka marrë parasysh asnjë provë të tyre.
Jovica Strasheski, avokat i Lupço Palevskit
“Ky cirk mbaroi ashtu siç filloi. Vendimi nuk mbanë, e gjithë akuza është rishkruar në të, pa asnjë provë të vetme. Nuk është marrë parasysh asnjë provë e mbrojtjes”.
Avokati i Bore Videvskit Bojan Manev, u shpreh se si aktakuza e prokurorisë, ashtu edhe vendimi i gjykatës, ishin konfuze.
Bojan Manev, avokat i Bore Videvskit
“Nëse e dëgjuat vendimin, kishte dy fakte jo pak të rëndësishme. Gjykata i liroi nga grabitja e Zhezhoskit, atëherë si vranë pa e grabitur. Aktakuza është konfuze, njejtë edhe vendimi, i cili thotë se vrasja ka ndodhur në ora 10, kurse e gjithë Maqedonia e ka parë videon se ai ishte gjallë në ora 12 në pompën e benzinës”.
Për Igor Efremov, avokat i Vllatko Keshishev se për klientin e tij nuk është marrë parasysh se ka qenë ai që ka treguar për vendndodhjen e trupave të pajetë.
Igor Efremov, avokat i Vllatko Keshishev
“Gjykata nuk i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese që janë se, se trupat nuk do të gjindeshin asnjëherë, nëse nuk do i tregonte ai, kurse vlerësojmë se gjykata nuk e ka marrë parasysh se i njejti ka qenë në frikë dhe ka vepruar në urdhëra të Palevskit”.
Gjykata gjithashtu vendosi që katër të akuzuarit të mbeten në paraburgim, kurse Gjorçevski të lirohet nga masa e arrestit shtëpiak.
Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhoski ishin denoncuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, kurse më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.
Emine Ismaili /SHENJA/