Profesioni i shenjtë i mësuesit, duhet të jetë profesioni më i respektuar në shoqëri, dhe rrjedhimisht, më i respektuari edhe nga institucionet e sistemit. Fatkeqësisht, kjo nuk vlen për shtetin dhe shoqërinë tonë. E kjo, thotë mësuesja Fitore Qirezi, nuk është diçka e re, por është një problem që i tangon përgjatë gjithë karrierës. E pyetur për pagat që marrin mësuesit, Qirezi thotë se ushtruesit e këtij profesioni, në raste të jashtëzakonshme janë të gatshëm që pa pagesë të ushtrojnë profesionin e tyre. Mirëpo, ajo thotë se në kushte normale, mësuesit nuk mund t’ia dalin me pagat që sillen rreth 22 mijë denarëve.
“Një pagë e arsimtarit nuk mund t’ju qëndrojë përballë ekonomisë, kërkesave të një familje qoftë edhe 4-5 anëtarëshe, e të mos flasim për një familje, prind që kanë fëmijë studentë apo nxënës, që kanë kërkesa dhe shpenzime më të mëdha, e të mos flasim më për faturat mujore”, thotë mësuesja Fitore Qirezi.
Ajo thotë se shkaku i pagave të ulëta, mësuesit detyrohen të gjejnë edhe punë të dytë, por thekson se kjo mund të sjell edhe deri tek ulja e autoritetit të tyre tek nxënësit.
“Secili arsimtar ndoshta detyrohet që ta mban edhe një punë tjetër, për të nxjerrë të ardhura shtesë. E mandej këtu qëndron problemi se humbet autoriteti i arsimtarit, si arsimtar si mësimdhënës, që nuk duhet të jetë ajo, posa takohet me nxënësin në treg apo diku tjetër, besoj se nuk është mirë dhe i bie vlera vetë arsimtarit”, thekson Qirezi.
Mësuesit presin dhe përcjellin gjenerata të tëra nxënësish duke mos i shqetësuar asnjëherë për problemet me të cilat përballen, duke i qëndruar besnik idealit të profesionit që kanë. Në prag të festës së 7 marsit, Ditës së Mësuesit, paga ndoshta është gjëja e fundit të cilën e mendon një mësues, mirëpo është koha që për këtë, të mendojnë institucionet dhe shoqëria në përgjithësi.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Pagat e ulëta detyrojnë mësuesit të bëjnë punë… by tvshenjaofficial