Në një kohë kur qytetarët kanë ankesa të shumta lidhur me kushtet e vështira të jetesës dhe pagat e ulëta, qeveria ka sjellëvendim të rrisë pagat e funksionerëve të emëruar. Në vendimin e ri të qeverisë, të publikuar në gazetën zyrtare thuhet se koeficienti i përllogaritjes së pagave nga 2,24 rritet në 2,55% , që në përllogaritje të pagave rezulton me rritje për 13,8%.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar kryetari i lidhjes së sindikatave të RMV-së Sllobodan Trendafilov. Ai thotë se punëtorët meritojnë më shumë se sa zyrtarët dhe se nëse nuk ka rritje të pagave të punëtorëve si mund të ketë rritje të pagave të zyrtarëve.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE TË RMV-SË
“Nëse rritja prej 12.6% e pagave të punëtorëve që u takon atyre, në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik, si dhe nevoja për të rritur pagën minimale në 500 euro dhe një rritje prej 100 eurosh në pagat e tjera, do të rrisë inflacionin, atëherë një rritje prej 13.8% e pagave të një zyrtari sigurisht që ndikon edhe në inflacion, por duket se e ul atë, nuk ka shpjegim tjetër”.
Reagim lidhur me vendimin për rritje të pagave të funksionerëve pati edhe nga LSDM. Ata thonë se përderisa shpenzimet për jetesë janë vazhdimisht në rritje, qeveria ka vendosur të rrisë vetëm pagat e funksionerëve.
LSDM
“ Maqedonia e Veriut po përballet përsëri me një rritje të madhe të çmimeve dhe inflacionit ndërsa Qeveria ka vendosur të rrisë pagat e zyrtarëve. Për punëtorët dhe qytetarët përsëri nuk ka asgjë. Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave, inflacioni vjetor në maj 2025 ishte 3.3%, që është një rritje krahasuar me prillin, kur ishte 2.6%”.
Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare, pagat e zyrtarëve qeveritarë do të rriten për 13.8%. Koeficienti për llogaritjen e pagave të tyre do të rritet nga 2.24 në 2.55%, që do të thotë se paga e tyre mujore do të rritet nga 92,375 denarë në 105,159 denarë, që nënkupton se ata do të marrin 12,784 denarë shtesë duke filluar nga 1 qershori 2025.
Ndërkohë sipas të dhënave të fundit të entit shtetëror të statistikave kostoja e jetesës në muajin maj në krahasim me muajin prill është rritur për 1,5%%. Sipas tyre kjo rritje është shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat shënuan rritje për 4.1%.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/