Këshilli nacional për eurointegrime ka mbajtur seancën e parë, pas përbërjes së re parlamentare. Me këtë rast, zv/kryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, mes tjerash tha se objektivi i Qeverisë është që të sigurojë plotësimin e kushteve të BE-së për integrimin e vendit. Ai tha se me planin 3-6-9 të Qeverisë janë të qarta angazhimet e pushtetit për procesin euro-integrues.
“Ne nuk kemi alternativë për të ardhmen tonë evropiane, përveç institucioneve funksionale demokratike, implementimit të mëtejshëm agresiv të prioriteteve urgjente reformatore, sigurimit të rekomandimit pa kushte të KE-së për fillim të negociatave, thellim të marrëdhënieve të fqinjësisë më të mirë me gjithë fqinjët dhe qëndrim aktiv ndaj nismave dhe bashkëpunimit rajonal”, ka deklaruar Bujar Osmani, zv/kryeministër për eurointegrime.
Deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, tha para të pranishmëve se edhe Abasadori i BE-së Samuel Zhbogar, edhe opinioni e di angazhimin e Lëvizjes Besa për intergrimin euro-atlantik të vendit, por edhe për gjuhën shqipe. Mirëpo, ai theksoi se Qeveria e udhëhequr nga LSDM dhe BDI nuk ka vepruar në mënyrë demokratike, duke anashkaluar partitë opozitare.
“Kemi thënë se ne do të bëjmë ç’mos që ta përkrahim këtë proces, vetëm kërkojmë që të jemi pjesë e këtij procesi, ta ndihmojë aq sa mundemi, ta kemi ligjin para kohe, t’i japim vërejtjet tona edhe në Kuvend, pastaj edhe ne të jemi pjesë e atij ligji. Mendoj se kemi humbur një shansë të madhe për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ka pasur mundësi që me konsensus të sillet ky ligj dhe të mbyllet, kjo çështje nuk është bërë. Shkohet me kokë në mur, me forcë, pa konsultime, madje me injorim total të lëvizjes BESA”, ka deklaruar Afrim Gashi, Lëvizja BESA.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, tha se Qeveria është e obliguar që t’ua zgjasë dorën të gjitha subjekteve politike në vend. Ai rikujtoi edhe njëherë pushtetin për organizimin e zgjedhjeve kredibile.
“Kjo do të thotë se koalicioni Qeveritar duhet t’ua zgjasë dorën të gjithë partive politike dhe ndaj opinionit, kur përgatit vendime dhe propozime për reforma të ardhshme, por edhe opozita të përmbahet nga obstruksionet politike, kur bëhet fjalë për interesat nacionale. Para se të vazhdohet drejt reformave duhet të kemi zgjedhje më të mira, jo më të këqija por më të mira nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar”, deklaroi Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.
Në fjalimet e tyre, deputetët e VMRO-DPMNE-së, akuzuan Qeverinë e Zoran Zaevit se në këto 117 ditë qeverisje nuk kanë realizuar asnjë projekt dhe premtim, por se fjala kryesore e pushtetit ka qenë në atë se çka planifikon të bëjë.
Mefail Ismaili

