Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, deklaroi se komuna ka humbur mundësi të arta për të përfituar miliona euro fonde të pakthyeshme nga Bashkimi Europian dhe premtoi se, nëse merr besimin e qytetarëve, fondet evropiane do të bëhen shtylla kryesore e zhvillimit të Çairit. Ai prezentoi vizionin e tij për mundësinë dhe potencialin e pafund që e ka komuna e Çairit në shfrytëzimin e këtyre fondeve, por edhe mosshfrytëzimin e tyre në të kaluarën, pasi që siç theksoi, për tre vite ka qenë koordinator kombëtar për fondet IPA, ndaj dhe i njeh mirë këto programe, rregullat, por edhe njerëzit në Bruksel që marrin vendime.
Ai kujtoi se gjatë tre cikleve të fundit të programeve IPA: IPA 1, 2 dhe aktualja IPA 3, për vendet e rajonit janë vënë në dispozicion mbi 35 miliardë euro përmes granteve, garancive dhe fondeve investuese.
Bujar Osmani, kandidati për kryetar të Çairit
“Nëse përgaditet një listë e projekteve, kemi projektuar se vetëm në mandatin e parë në 4 vitet e ardhshme siguojmë 15 milionë euro fonde nga Bashkimi Europian, dhe këtë do e bëj si kryetar i komunës së Çairit. Do të ketë zyra të Bashkimit europian në komunën e Çairit me ekspertë që punojnë vetëm për përgaditjen e projekteve sipas manualit të BE-së. Paratë do të jenë prioritet shkollat, rinovimi me efikasitetin energjetik, paisje digjitale përmes IPA 3 programit, pastërtia, ekonomi rrethore, parku i Çairit, Çarshia, kultura dhe rinia”.
Nga ana tjetër, kandidati për kryetar të Çairit, nga radhët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti në hapjen e shtabit zgjedhor tha se është i gatshëm për të dhënë dorëheqje nga posti zëvendëskryeministër për Çairin, nga ku ai është shprehur i bindur se do të dal fitues në zgjedhjet. Sa i përket akuzave për punësime familjare që vijnë nga opozita shqiptare, Mexhiti tha se për familjarizim dhe keqpërdorim të pushtetit njihet pushteti i kaluar.
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër dhe ministër i ekologjisë
“Ende jam zv/kryeministër i parë dhe ministër i ekologjisë, kam paralajmëruar se pas 19 tetorit nuk do të jem. Do të jem kryetar i Çairit, dikush tjetër do të jetë zv/kryeministër i parë. Soravijat nuk i kemi ne, soravijën e kanë ato tjerët”.
Nga VLEN theksuan se çdo ditë po dëshmojnë se është forca e vetme që ka sjellë frymë të re dhe atmosferë pozitive në çdo komunë shqiptare. Nga Çairi, Tetova, Gostivari, Struga e Likova e deri në vendbanimin më të largët, sipas tyre, mobilizimi i qytetarëve është i paparë dhe fitorja plebishitare më 19 tetor tashmë shihet qartë.
Anida Murati /SHENJA/