Protesta e opozitës, cila zhvillohet sot në orën 18:00 do të monitorohet edhe me kamera me rezolucion të lartë, të cilat janë vendosur në shtyllat.
Me qëllim që qytetarët të mos shkulin kamerat dhe për të mos ndikuar kështu në transparencën në rast të ndonjë incidenti, shtyllat janë lyer me graso.
Deri më tani dihet se protestuesit do të mblidhen në orën 18:00 përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas do të shpërndahen në rrugët e kryeqytetit, me synim bllokimin e qarkullimit të saj.
Ende nuk dihet zyrtarisht se ku do të përqendrohen grupet e protestuesve, por do të synohen kryesisht ato zona që do të shkaktojnë edhe më shumë probleme dhe “paralizim të jetës” në Tiranë.
Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Po ashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve.
Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundër gaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.




