Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka propozuar për zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, kryetarin aktual të kësaj ode, Nebi Hoxhën. Në pres konferencën e sotme nga kjo odë, kanë theksuar senë këto kushte të krizës, biznesi kërkon stabilitet më të madh për biznesbërjen në vend. Për këtë arsye, ata nga qeveria e ardhshme kanë kërkuar postin e zëvendëskryeministrit nga radhët e biznesit. Nga kjo odë kanë theksuar se këtë çështje e kanë diskutuar edhe në takimet e realizuara me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, nga i cili kanë kërkuar, biznesi të ketë qasje në përgatitjen e ligjeve para se të kalojnë filtrat qeveritar dhe jo pasi ato të hyjnë në procedurë kuvendore.
“Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Drejtues të OEMVP-së, me shumicë votash u zgjodh kanditati potencial për zëvendës-kryeministër për çështje ekonomike z. Nebi Hoxha, kryetari i OEMVP-së.Me këtë pozitë në qeverinë e re OEMVP pret që të kontribuojë në përmirësimin e komunikimit të pushtetit ekzekutiv me sektorin e biznesit lidhur me problemet dhe dilemat e ndryshme që prekin punën e afaristëve”, tha nënkryetar i OEMVP-së, Nazmi Ejupi.
Ejupi ka shtuar që në mënyrë aktive biznesi të marrë pjesë në kontrollin e politikave ekonomike qeveritare.
“Ajo që nxiti komunitetin e biznesit dhe Odën për një iniciativë të këtillë është lodhja nga paqartësia e ambientit politik, mungesa e parave të gatshme në biznes dhe shumë probleme të tjera që vështirësojnë punën e afaristëve”, theksoi Ejupi.
Ai ka theksuar se është koha që biznesi të jetë bashkëveprues në përpilimin dhe realizimin në praktikë të politikave ekonomike dhe zhvillimore të shtetit.
Teuta Buçi /SHENJA/

