Oda e Tregtarëve ka reaguar në lidhje me zvarritjen e projektit për ndërtimin e Bit Pazarit si dhe kushtet e mjerueshme me të cilat po përballen tregtarët nëpër të gjitha tregjet e Maqedonisë. Kryetari i saj, Ekrem Dolek, tha se situata nëpër tregjet e vendit është kaotike ndërsa me këtë po bëhet shkelje e të drejtave të njeriut. Duke folur për projektin e Bit Pazarit, ndërtimi i të cilit po premtohet vite me radhë, ai tha se presin zgjidhje urgjente për ndërtimin e këtij tregu, si dhe tregjeve tjera të cilat po ashtu, sipas tij, janë në gjendje të mjerueshme.
“Qiranë e tezgave e paguajmë rregullisht. 5-60 vjet Tregu i Shkupit merr qira prej tregtarëve dhe nuk ka ngulur asnjë gozhdë në këtë treg. Ne nuk duam ta ndërtojmë me paratë e Tregut të Shkupit por me paratë tona që i kemi dhënë Tregut të Shkupit. Ne nuk lodhemi me atë punë nëse ka para Tregu i Shkupit apo jo.Gjatë kontakteve që kemi pasur ai është i gatshëm me investu. Aq sa di unë edhe projekti është i kryer”, tha Ekrem Dolek.
Dolek gjithashtu tha se shkaku i zvarritjes së këtij projekti deri më tani ka qenë neglizhenca e Komunës së Çairit.
“Nuk mund të arsyetohet Komuna e Çairit se ajo është institucion. Nuk është një person si Ekrem Doleki që po jep një kërkesë dhe mi kalu ato labirintet burokratike sepse jam një qytetar i thjeshtë. Mirëpo kur është në pyetje institucioni, komunë me Qytetin e Shkupit dhe Ministrinë e Transportit dhe me institucione tjera kanë mundur këtë punë që ka zgjatur 7 vjet ka mundur më së shumit për dy vjet ta kryejnë”, theksoi Dolek.
Ai po ashtu ka thënë se kriza e zgjatur politike ka dëmtuar në masë të konsiderueshme punën e tregtarëve dhe u ka bërë thirrje politikanëve që të ndërmarrin masa për zgjidhjen e saj, pasi që pasojat e saj po u kushtojnë shumë shtrenjtë atyre.
Teuta Buçi /SHENJA/