
Vazhdojnë skandalet me shkollat në territorin e Komunës së Çairit. Pas historisë akoma pa epilog të emrave të 4 shkollave fillore në këtë komunë shkollat janë shndërruar në komplekse të bizneseve private. Nëse në oborrin e një shkolle të zakonshme do të kishte sallë sportive dhe fusha të ndryshme që do të ndihmonin nxënësit në procesin edukativo arsimor, dritaret e klasave të këtyre shkollave janë me pamje nga lavazhe dhe dyqaneve të tjera.
Në këtë mënyrë, nxënësit të cilët vijojnë mësimin në këto institucione me karakter edukativo arsimor, çdo ditë janë spektator të larjes së veturave dhe tapeteve, shitjes së luleve dhe shitjes së materialeve ndërtimore.
Në oborrin e shkollës që duhej ta kishte emrin “Ismail Qemali” por që në dokumentet zyrtare akoma figuron si “Rajko Zhinzifov”, është hapur po ashtu një lavazh si dhe një lulishte.
Ndërkohë në hapësirat e oborrit të shkollës së mesme “Cvetan Dimov”është i stacionuar një lavazh tjetër dhe menjëherë pranë tij ndodhet një dyqan për shitjen e materialeve ndërtimore.
Hapjen e lavazheve dhe bizneseve tjera në oborre të shkollave e kritikojnë edhe qytetarët.
“Nuk është në rregull ajo, për këtë pyetet tjetër kush”, tha njëri nga qytetarët.
“Ajo është interesi i dikujt s’ka asgjë tjetër. Nuk është në rregull por s’ke çfarë bën, tjetër kush i udhëzon ato punë. Në vetëm mund të rrimë dhe të shohim nuk kemi çfarë të bëjmë”, thotë një qytetar tjetër.
“Tani e shoh se paskan hapur lavazh. Nuk do të duhej, kjo është shkollë. Nuk është në rregull por çfarë të bëjmë”, thotë njëri nga qytetarët e anketuar.
Televizioni SHENJA tentoi të kontaktoi me drejtorin e Shkollës Fillore “Adem Jashari”, Halil Palloshi, megjithatë edhe pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, ai nuk ishte i kapshëm për të na dhënë përgjigje se pse oborri i shkollës që ai drejton është në gjendjen si paraqitet në pamjet televizive.
Teuta Buçi /SHENJA/
Oborret e shkollave të Çairit mbushen me… by tvshenjaofficial

