Paralele të re në gjuhën shqipe nuk do të ketë në shkollën fillore “Petar Zdravskovski-Penko”. Por, siç njoftoi kryetari i komunës së Butelit Darko Kostovski, me Ministrinë e Arsimit kanë gjetur zgjidhje që të pranojnë fëmijë të komunave tjera vetëm nëse në atë shkollë e ka vëllain ose motrën që e ndjekë mësimin. Ndërsa pretendon se askush nuk është diskriminuar gjatë regjistrimit në këtë shkollë.
Darko Kostovski, kryetar i komunës së Butelit
“Ja një risi. Në marrëveshje me ministren, ne kemi bërë diçka që ndodh shumë shpesh si praktikë në të gjithë Maqedoninë dhe qytetin e Shkupit. Mund të jap shembuj. Ato fëmijë që janë nga Çairi, që tashmë kanë një vëlla dhe një motër në Shkollën Fillore ‘Petar Zdravkovski-Penko’, ata u pranuan me vullnet, thjesht për të treguar se kjo nuk ka asnjë konotacion etnik dhe për ta bërë të qartë se qëllimi ynë nuk është gjë tjetër veçse ofrimi i mësimdhënies me cilësi jashtëzakonisht të lartë”.
E BDI këtë e quajti zgjidhje diskriminuese, joligjore dhe të kushtëzuar.
BDI
“Kjo nuk është zgjidhje. Kjo është një mënyrë për ta kufizuar dhe kushtëzuar të drejtën e fëmijëve shqiptarë për arsim në gjuhën amtare. BDI pyet publikisht: Pse një fëmijë shqiptar duhet të ketë vëlla, motër që ndjekë mësimin në këtë shkollë për të pasur të drejtën të regjistrohet në të? E drejta për arsim në gjuhën shqipe nuk mund të varet nga historia familjare e nxënësit”.
Zëvendës ministri i Arsimit Driton Sulejmani një ditë më parë e kumtoi lajmin se e kanë zgjidhur problemin e paraleles në gjuhën shqipe në shkollën “Penko” në Butel, por nuk e tregoi zgjidhjen.
Emine Ismaili /SHENJA/



