248 ditë pas tragjedisë që ndodhi në diskotekën “Puls”, nisi gjykimi për gjetjen e fajtorëve dhe përgjegjësve, që shkaktuan vdekjen e 63 personave, kryesisht të rinj.
Se është një proces i gjerë gjyqësor në të gjitha dimensionet, e vërteton numri i të akuzuarve që janë 35 si dhe 3 subjekte juridike, aktakuzë prej 166 faqesh, qindra dëshmitarësh që pritet të dëshmojnë, qindra provash materiale, si dhe numër i madh i prokurorëve publik që do ta përfaqësojnë aktakuzën, gjithsej 15 prokurorë. Ky proces gjyqësorë mbahet në sallën e re, të madhe, dhe e pajisur me pajisje moderne, pranë Institucionit Ndëshkues Përmirësues në Idrizovë, që lëshohet në përdorim për herë të parë që kur është ndërtuar.
Prania e shumë njerëzve që do të merrnin pjesë në seancë, secili në rolin e vet, mori disa orë kohë vetëm për akomodim. Gjithashtu kohë mori edhe konkretizimi i asaj se cilin të akuzuar kush dhe sa avokatë e mbron.
Gjykatësja e lëndës Diana Gruevska në fillim të seancës u zotua për gjykim të drejtë duke prezantuar siç i quajti ajo “rregullat e lojes” dhe duke shtuar se nuk mund të garantoj shpejtësi të procedurës gjyqësore.
Diana Gruevska, gjykatëse
“Në emër të të gjithë trupit gjykues dua që t’i tregoj ‘rregullat e lojës’. Kërkojmë diciplinë të madhe. Fillimisht do të bëjmë vërejtje, më pas do të ketë largim nga salla. Për çdo prolongim të panevojshëm të seancës, do të pasojnë sanksione dhe në këtë drejtim, të gjitha vërtetimet mjekësore do të kontrollohen në mënyrë strikte”.
Me deklarata prekëse dhe të detajuara, prokurori Borçe Janev tregoi faktorët kryesorë që çuan në katastrofë. Sipas tij, përdorimi i piroteknikës ishte rënë dakord paraprakisht, dhe materialet e integruara – toksike dhe të pasigurta – rritën vdekshmërinë e zjarrit. Gjithashtu, theksoi se materialet e instaluara nga pronari Dejan Jovanov janë shkaku kryesor i vdekjes së një numri të madh viktimash.
Borçe Janev, prokuror
“Dejan dhe Mihajlo organizuan performancën e grupit DNA dhe po negocionin me Vladimir Blazevin. Piroteknikat nuk ishin rastësi, por pjesë e performancës skenike të rënë dakord më parë. Grupi kishte përdorur një skenografi të tillë më parë. Menjëherë pas mbërritjes, i ndjeri Martin Atanasovski solli dhe aktivizoi shatërvanët piroteknikë ndërsa po interpretohej kënga ‘Çfarëdo që të dojë, le të bëhet’. Tavani menjëherë u përfshi nga flakët dhe ndërtesa – me një dalje të vetme – u bë një kurth vdekjeprurës”.
Në sallë të pranishëm ishin edhe prind dhe familjarë të personave që kanë ndërruar jetë në tragjedi. Në një deklaratë për mediat, njëri nga prindërit e personave që ndërruan jetë në tragjedi, u shpreh se ky gjykim është një nga sprovat më të mëdha për shtetin, sepse shohim se me kalimin e kohës, po na harrojnë.
Andrej Stojanov, familjar
“Tani ne prindërit ndihemi të manipuluar në një farë mënyre dhe kemi frikë se situata jonë do të rezultojë si Laskarca, si autobusi në Bullgari ose si spitali modular, dhe kur patëm një takim me kryeministrin, dhe gjithashtu dy takime me Ministrin e Brendshëm, na u tha se ky rast në Koçan është kulmi i të gjitha krimeve që kanë ndodhur”.
Disa nga avokatët kërkuan shtyrjen e seancës, duke thënë se aktakuza e integruar dhe lista e reduktuar e provave të prokurorisë janë në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Penale. Por, kërkesa nuk u pranua nga gjykata.
Emine Ismaili /SHENJA/


