Misioni i krijimit të një gjyqësori të pavarur nuk është i pamundur. Është vetëm çështja se si do të arrihet ky qëllim. Kështu vlerëson Margarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë. Nikollovska thotë se duhet një rivlerësim masiv i gjykatësve për njohuritë e tyre, dhe pse jo edhe e prokurorëve dhe disa avokatëve, në mënyrë që vetëm ata që e meritojnë dhe kanë dije për punën që e bëjnë, të vendosen në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
“Sigurisht që duhet të bëhet rivlerësim i gjykatësve dhe prokurorëve, por edhe disa avokatëve. Besoj se nuk do të ketë probleme nëse rivlerësimi është qëllim-mirë, për t’u theksuar elementet se si janë sjellë.Të bëhet vlerësimi se sa kanë qenë të aftë Gjykatësit për të sjellë vendime të drejta të bazuara në ligj dhe Kushtetutë. Ne kemi gjykatës që janë përzgjedhur me anë të një ‘tefteri’, gjykatës që kanë fluturuar mbi të gjitha instancat gjyqësore. Ne ballafaqohemi me situatë të drejtësisë selektive, të dy vendimeve të ndryshme nga Këshilli i njëjtë gjyqësor. Gjithë këto gjëra tregojnë se ka pasur anshmëri”, thotë ish gjykatësja në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska.
Nikollovska ka folur edhe për dhunën në Kuvend duke theksuar se vepra “pjesëmarrje në turmë” nuk e pasqyron atë që vërtetë ka ndodhur në Kuvend. Sipas saj, gjithë kanë marrë pjesë në turmë, por qëllimi i tyre ka qenë shumë më serioz se sa ta pengojnë punën e policisë.
“Unë mund të them se neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të drejtën e jetës, zgjeron fushën e përfshirjes në kuptim të asaj se në qoftë se e drejta për jetë është cenuar me mjet të rrezikshëm, ky rast trajtohet në këtë drejtim se ka elemente me të cilat është cenuar e drejta për jetë. Pra nuk është patjetër që të përdoret pistoletë, që është armë vdekjeprurëse, por edhe diçka më të fortë, që mund të shkaktojë vdekje”, thekson Nikollovska.
Gjykatësja Nikollovska thotë se prokuroria në punën e saj të mëtejme, duhet të marrë parasysh këto elemente duke thënë se të gjithë ata që hynë në Kuvend, ishin pjesëmarrës në turmë. Por, sipas saj, dallon qëllimi, pasi vetë udhëzimi i turmës tek “press qendra”, tregon se ka elemente të veprave penale.
(VIDEO) Nikollovska: Nevojitet rivlerësim masiv… by tvshenjaofficial

