Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, asesi nuk heq dorë nga kërkesat e tyre, që është rritja e pagës minimale në 600 euro dhe rritje për 100 euro të pagave të tjera. Kryetari i LSM, Sllobodan Trendafilov ka njoftuar se LSM ka marrë vendim që më 10 shkurt , atëherë kur është caktuar seanca në Kuvend, do të bllokohen deputetët.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Qëndrimi injorues i deputetëve ndaj punëtorëve na detyroi të kalojmë në fazën e dytë për rritjen e pagave. Kryesia e LSM-së vendosi që më 10 shkurt të bllokojmë Kuvendin dhe deputetët, të cilët nuk do të mund të arkëtojnë shpenzimet e udhëtimit dhe do të duhet të kalojnë para punëtorëve e t’u shpjegojnë pse ata mund t’i rrisin pagat e veta, ndërsa propozimin e LSM-së për pagat e punëtorëve e mbajnë në sirtar”.
Dy ditë më vonë, përkatisishtë, më 12 shkurt, Trendafilov, tha se LSM gjithashtu ka vendosur të bllokojë edhe punëdhënësit, përkatësisht Odën Ekonomike, Lidhjen e Odave Ekonomike dhe Organizatën e Punëdhënësve, kurse bllokada e Qeverisë është paralajmëruar për 17 shkurt.
Ndërkaq, nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi e përsëriti qëndrimin për pagën minimale. Ai tha se paga minimale do të rritet në muajin mars, ndërsa deri në viti 2028 Durmishi tha se paga minimale do të rritet rreth 40 përqind.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“Paga minimale, nëse ju intereson kjo, në muajin mars do të nivelohet apo do të rritet rreth 7 ose 8 për qind. Nëse i bashkojmë vitin e kaluar, këtë vit dhe dy vitet e tjera që na vijnë, 2027 deri në 2028, do të kemi rritje rreth 40 për qind të pagës minimale. Rreth 40 për qind, nëse e marrim parasysh se paga minimale rritet për 7 ose 8 për qind”.
Kujtojmë se Lidhja e Sindikatave disa ditë më herët, mbajti një protestë, e cila filloi nga objekti i LSM dhe përfundoi tek qeveria. Në këtë protestë morrën pjesë qindra persona. Ndërkohë, nga LSM inforojnë se po shqyrtohet edhe organizimi i një proteste të madhe punëtore dhe se faza e ardhshme mund të jetë grevë e përgjithshme.
Samir Mustafa /SHENJA/


