Qendra Maqedonase për Kulturë dhe Zhvillim edhe këtë cikël zgjedhor do të bëjë monitorimin e gjithë procesit zgjedhor, si gjatë fushatës, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, po ashtu edhe procesin pas përfundimit të tyre. Kryetari i kësaj qendre, Nellko Nellkovski, tha se ata do të kenë rol parandaluesi të incidenteve gjatë kësaj periudhe. Po ashtu ai shtoi se edhe këtë vit do t’ua ofrojnë përfaqësueseve të të gjitha partive nënshkrimin e Deklaratës për Parandalim gjatë procesit të zgjedhjeve, përmes të cilës sipas Nikollovskit ata deklarohen se do të punojnë dhe maksimalisht do t’i mobilizojnë resurset e tyre në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve në mënyrë të qetë.
“Gjatë këtij procesi zgjedhor, si preventivë gjatë kohës së zgjedhjeve, do ta vazhdojmë këtë aktivitet përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe bisedave me të gjitha partitë politike, që marrin pjesë në procesin zgjedhor. Gjithashtu si në dy ciklet e zgjedhjeve të kaluara, të gjitha partive politike ua ofrojmë për të nënshkruar Deklaratën për Parandalim për kohën e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e kaluara të gjitha partitë e kanë nënshkruar dhe besojmë që edhe këtë herë do ta nënshkruajnë”, ka deklaruar Nellko Nellkovski, kryetar i Qendrës Maqedonas për Kulturë dhe Zhvillim.
Kjo qendër gjithashtu bëri edhe prezantimin e raportit për dy ciklet e mëparshme zgjedhore.
“Organizata jonë i ka vëzhguar dy ciklet e mëparshme zgjedhore, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në 2014-tën dhe zgjedhjet parlamentare në 2016-tën. Sot e publikojmë raportin për preventivë në kohën e zgjedhjeve… I prezantojmë konkluzionet dhe vlerësimet tona për ditën e zgjedhjeve, vlerësimet për gjithë fushatën dhe vlerësimet e procesit pas mbajtjes së zgjedhjeve”, shtoi Nellkovski.
Kryetari Nikollovski vlersoi se vendi ynë vitin paraprak ka kaluar nëpër një proces politik shumë serioz dhe sipas tij përgjegjësia është shumë e madhe edhe për pushtetin dhe opozitën e tanishme që dita e mbajtjes së zgjedhjeve të kaloj qetësisht dhe pa asnjë incident.
Emine Ismaili

