Analisti politik, Besim Nebiu vlerëson se raporti i progresi që publikoi Komisioni Evropian për Maqedoninë e veriut, konstaton qartë ngecje serioze në procesin e integrimit evropian të vendit, duke theksuar se problemet nuk lidhen vetëm me kapacitetet teknike, por edhe me mungesën e vullnetit politik për të ndërmarrë reformat e nevojshme. Sipas tij, një nga çështjet kyçe mbetet mosrealizimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara, të cilat janë parakusht për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Megjithatë, Nebiu, një një deklaratë përë TV Shenja, tha se përpos pjesës politike, vendi ka ngecur edhe në zbatimin e kritereve të anëtarësimit dhe asociimit, ku vihet në pah mungesa e rezultateve konkrete në fushat e sundimit të ligjit, funksionimit të gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe në luftën kundër korrupsionit.
Besim Nebiu, analist
“Përkundër retorikës qeveritare të kryeministrit Mickoski, i cili dje po ashtu ishte në Bruksel dhe shprehu se Maqedoinia është e dedikuar ndaj proceseve të integrimit si dhe do ta bëjë detyrën e shtëpisë, pra në mungesë të fillimit të negociatave do të pastrojë oborrin e vet duke i marrë këto reforma të duhura që Maqedonia t’i ngjajë një shteti evropian, duket se në ato detyra të shtëpisë kemi notë më të dobët se fqinjët dhe anëtarët e tjerë të klasës”.
Ai shtoi se, nëse raporti krahasohet me ato të vendeve të tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut ngec edhe në implementimin e obligimeve që nuk lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet kushtetuese, por me kriteret e anëtarësimit. Sundimi i ligjit, gjyqësori, prokuroria dhe lufta kundër korrupsionit, theksoi ai janë fusha ku Komisioni konstaton mungesë të rezultateve konkrete dhe këto çështje janë theksuar më qartë në raportin e sivjetshëm se në raportet e viteve të kaluara. Ndërkaq, ai përmendi edhe rastin e Koçanit, si shembull të mosfunksionimit institucional.
Besim Nebiu, analist
“Mungesa e procedimit gjyqësor në bazë të funksionit të një shteti të së drejtës është një minus i madh për Maqedoninë dhe sigurisht se kjo nuk ka se si të mos pasqyrohet në mënyrën se si Bashkimi Evropian e percepton Maqedoninë. Pra, për një tragjedi kaq të madhe e cila i adresohet mosfunksionimit permanent jo vetëm të një institucioni, por të të disa institucioneve shtetërore. Pra, është një tragjedi që ka ndodhur si rezultat i faktorit natyrë, por ka rezultuar nga faktori korrupsion”.
Komisioni Evropian publikoi më 4 nëntor raportin e progresin për Maqedoninë e Veriut, sipas të cilit vendi nuk ka shënuar aspak përparim në reformimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. Raporti ka përmendur edhe tragjedinë e Koçanit, për të cilën tha se, ky rast zbuloi sfida të qëndrueshme sistemike mbi zbatimin e masave antikorrupsion.
Teuta Buçi /SHENJA/


