Posti i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike në qeverinë e ardhshme, nuk do të jetë politikan por afarist. Për këtë post, odat ekonomike në Maqedoni duhet të arrijnë konsensus për një kandidat të përbashkët. Fillimisht, të tre odat ekonomike kanë propozuar kandidatët e tyre, ndërsa tani vijon procesi i konsultimit për një propozim të vetëm. Kandidati i propozuar nga OEMVP, Nebi Hoxha, në emisionin EKONOMIKS tha se posti i zëvendëskryeministrit është kyç, pasi mundëson një lidhje të fortë mes ekzekutivit dhe komunitetit të biznesit.
“Ne si odë ekonomike,në mënyrë konzistente, mund të them që nga themelimi i odës para 11 viteve kemi kërkuar që të kemi një përfaqësues nga oda ekonomike në shtëpinë e ligjit, respektivisht në Qeveri, ku do jemi si preventivë në ndryshimin e ligjeve dhe në vendimmarrjen e ligjeve në të mirën e biznesit në përgjithësi ”, tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Hoxha thotë se më herët, kërkesat e afaristëve drejtuar Qeverisë janë anashkaluar. Duke folur për platformën me të cilën do të punojnë zëvendëskryeministri, Hoxha thotë se platforma e OEMVP-së në masë të madhe përputhet me atë të LSDM-së.
“Kemi marrë diku afër 30 prioritete apo kërkesa që janë në platformat ekonomike dhe kemi bërë një krahasim të platformës tonë ekonomike dhe të gjitha subjekteve politike dhe mendoj se kemi ardhur në një përfundim që platforma ekonomike e Odës Ekonomike të Maqedonisë Vero-Perëndimore dhe platforma ekonomike e Lidhjes Social-Demokrate, kanë diku mbi 70 për qind përputhshmëri në programin e tyre”, theksoi Hoxha.
Kryetari i OEMVP-së, thekson se hapat të cilat do t’i ndërmerr zëvendëskryeministri i ardhshëm për çështje ekonomike, do të bëhen në bashkëpunim me të gjitha odat ekonomike dhe me ekspertët ekonomik.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Nebi Hoxha në “Ekonomiks”: Pjesëmarrja në… by tvshenjaofficial

