Në kuadër të Projektit për renovimin e shkollave fillore në Komunën e Sarajit, sot u bë përurimi I godinës së re të Shkollës fillore “Dituria” në fshatin Gërçec. Një gjë e tillë u mundësua me mbështetje financiare nga sektori afarist dhe u implementua nga fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës Albiz. Ndërhyrjet në këtë shkollë kanë koston prej 80 928 eurove dhe përfshijnë ndërtimin e godinës së re së bashku me orenditë e brenshme.
Kryetari i Këshillit të donatorëve pranë Fondacionit Albiz, Nexhat Shahini, tha se në kuadër të këtij projekti, janë realizuar më shumë aktivitete në pesë shkolla në komunën e Sarajit.
“Ditët kur ne shënojmë ndonjë festë i konsiderojmë si të veçanta. E tillë është edhe kjo ditë kur ne shënojmë një sukses të madh: përfundimin e meremetimit të pesë shkollave tona, në Komunën e Sarajit. Prej këtij shtatori ata do të mësojnë në kushte të reja me mësojtore të ndriçuara, me kulme të sigurta nga bora dhe shiu, me oborre të rregulluara, me orendi të reja”, deklaroi kryetari i Këshillit të donatorëve pranë Fondacionit ‘Albiz’, Nexhat Shahini.
Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Fondacionit Albiz, Ilir Idrizi tha se investimi në dije, krijimi i kushteve më të mira për mësim, përkrahja e studentëve dhe nxënësve dhe mbështetja e institucioneve arsimore në vend, kanë frymëzuar projekte të mirëfillta që fondacioni i ka zhvilluar dhe vazhdon t’i realizojë.
“Shfrytëzoj rastin që në emrin tim personal dhe në emër të fondacionit Albiz, t’I faleminderoj të gjithë ata, që në çfarëdolloj mënyre kontribuan për përfundimin e sukssesshëm të këtij projekti. Për në fund, nxënësve të kësaj shkolle ua uroj godinën e re dhe I porosis që të jetësojnë angazhimin e këtyre njerëzve bujarë, duke korrur suksese më të larta në mësime”, u shpreh Ilir Idrizi, Drejtori ekzekutiv i Fondacionit ‘Albiz’.
Investimi i përgjithshëm për meremetimin e pesë shkollave në komunën e Sarajit kap vlerën 174 mijë euro, prej të cilave 18 300 euro janë investuar në shkollën “Dituria” në Saraj, 1000 në shkollën fillore në Krushopek, 30 193 euro në shkollën “Drita” në Rahçe, 2437 euro në Llaskarcë, 6900 në Shishovë, dhe 80 928 euro në shkollën fillore Dituria në Gërçec.
Ajnur Bafqari

