Sulmi i të enjtes në Kuvend, ka qenë shkak i takimit të Shefave të Delegacionit të BE-së, Ambasadës së SHBA-ve, Misionit të OSBE-së në dhe Zyrës së NATO-s në Shkup. Nëpërmjet një komunikate të përbashkët, ata njëzëri kanë dënuar këtë ndodhi si dhe kanë kritikuar autoritet e Maqedonisë që dështuan të parandalojnë të njejtën. Sulmin ndaj Kuvendit ata e kanë vlerësuar si sulm ndaj demokracisë.
“Fuqishëm e dënojmë sulmin e organizuar ndaj Parlamentit që u bë më 27 prill. Shprehim shqetësimin tonë serioz ndaj dështimit të autoriteteve për ta parandaluar të njëjtin dhe për të siguruar sigurinë e nevojitur për deputetët e parlamentit dhe gazetarët prezentë në vendngjarjen. Sulmi ndaj një institucioni shtetëror, i cili paraqet zemrën e demokracisë, është sulm ndaj vetë demokracisë”, thuhet në kumtesën e ndërkombëtarëve.
Më tej, ata kanë theksuar se presin që këto vepra penale të hetohen në mënyrë sa më të shpejtë, organizatorët dhe autorët e sulmit të sillen para drejtësisë dhe gjyqësori të veprojë në mënyrë të pavarur.
“Për më shumë, ne gjithashtu shpresojmë se institucionet shtetërore në mënyrë ekspeditive do t’i sjellin të gjitha konkluzionet dhe do të ndërmarrin masat e duhura. Ju bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të sillen me përgjegjësi dhe të kontribuojnë për një proces të qetë demokratik, i cili duhet të lihet të marrë rrjedhën e vetë”, thuhet gjithashtu në kumtesë.
Ndërkohë, qytetarëve u kanë bërë thirrje të mbeten të përmbajtur, t’u shmangen provokimeve dhe të mbeten të qetë. Sipas tyre, dhuna nuk është mënyra për përparimin e shtetit apo shoqërisë.
Teuta Buçi /SHENJA/
Ndërkombëtarët: Huliganët të nxirren para… by tvshenjaofficial

